Përkujtohet vepra e Arbën Xhaferrit, Rama: Ëndrra më e madhe e tij, integrimi i popullit shqiptar në sistemin e vlerave perëndimore

Shqipëria

Përkujtohet vepra e Arbën Xhaferrit, Rama: Ëndrra më e madhe e tij, integrimi i popullit shqiptar në sistemin e vlerave perëndimore

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 19:14
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në mbrëmjen e organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, që mban emrin e mendimtarit të madh dhe politikanit sqimatar shqiptar, i cili e ktheu patriotizmin nga një ndjenjë gjenuine atdhetarie në një mision për vetëdijen institucionale të shqiptarëve të shekullit të ri.

“Më vjen mirë që jam këtu sot dhe që dëshira e djemve dhe vajzave të fodacionit “Arbën Xhaferi” u bë realitet. E kishin me shumë dëshirë të organizonin këtë aktivitet që fillon sot me këtë mbrëmje përkujtimore.

Por me thënë të drejtën, nuk është gjëja më e mirë që mund të ndodhë, sipas meje, që të jepet fjala për të folur për Arben Xhaferin, kur nuk e ke të mundur të fokusohesh aq sa duhet, që të thuash diçka që do të bënte të ndjeheshe gjithsesi mirë, nëse Arbeni do të ishte duke të dëgjuar.

Unë, duke mos dashur që të mungoj në këtë mbrëmje dhe duke mos dashur të negocioj me djemtë e fondacionit me mosdaljen time, desha të ndaj disa fjalë të Arben Xhaferit dhe sot janë një pasqyrë që në rastin më të mirë, nuk do i bënte të ndiheshin mirë, atyre që e kalojnë jetën e përditshme në foltore dhe ekrane.

Arbën Xhaferri pyetet se cila është ëndrra me e madhe, ai përgjigjet, integrimi i popullit shqiptar, në sistemin e vlerave perëndimore.
Nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër, as në lindje, as në perëndim në kontinentin tonë, ku të përfliten më shumë vlerat perëndimore, ku të predikohen më shumë vlerat e perëndimit dhe nuk besoj që në ndonjë vend tjetër, që e ka përshkruar më parë rrugën me familjen evropiane, ta ketë përdorur më shumë fjalën integrim.

Nuk besoj që më pak sesa këtu në këtë vend, të gjitha këto fjalë të përdorura, si paratë gjatë një krize inflacioni, të kenë qenë më larg nga mbartësit dhe përdoruesit e tyre në tërësi”, theksoi Rama.

Në vijim, Kryeministri tha se ajo çka shqipja ka fituar në Maqedoninë e Veriut nuk është një çështjes e Gjykatës Kushtetuese, ligjeve apo partive të përkohshme politike.

“Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë, një mënyrë të të parit mes maqedonasve dhe shqiptarëve, për shtetformim, në një sens që siç e tregon Arbën Xhaferri, në sensin e integrimit të dy popujve shtetformues në sistemin e vlerave perëndimore, dhe kjo është shumë e madhe që të futet në labirinthet e ligjeve”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat