Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin i Shqipërisë, Taulant Balla vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në sistemin qeverisës të Malit të Zi, si dhe nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Këtë vlerësim, ai ia bëri ministrit të Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, të cilin e priti gjatë ditës së sotme në një takim.
Balla tha se Shqiptarët e Malit të Zi janë një faktor i rëndësishëm i ankorimit të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Marash Dukaj para disa vitesh ishte student në Tiranë dhe sot është Ministër për Administratën Publike në Malin e Zi. Ai është një mik i çmuar dhe nuk e fsheh krenarinë atdhetare për ndryshimet e mëdha të Tiranës dhe Shqipërisë gjatë dekadës së fundit. Shqiptarët e Malit të Zi janë një faktor i rëndësishëm i ankorimit të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ministri Balla.
Si një pikë e rëndësishme e takimit u diskutua përfshirja e mëtejshme e shqiptarëve në proceset vendimmarrëse dhe jetën politike e kulturore në Malin e Zi, duke vënë gjithashtu theksin në rëndësinë e mbrojtjes dhe zgjerimit të të drejtave të tyre.
Gjithashtu, u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim rritjen e bashkëpunimit në fusha si administrata publike dhe promovimi i zhvillimit rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta.