Nga koncensionet te Prokurimet Publike, ekspertët propozojnë masat për luftën ndaj korrupsionit

Shqipëria

Nga koncensionet te Prokurimet Publike, ekspertët propozojnë masat për luftën ndaj korrupsionit

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 21:35
Pamje nga tryeza

“Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në sektorët me risk të lartë në qeverisjen qëndrore dhe vendore” ishte tema e tryezës së 11 publike dhe e fundit e organizuar nga ekspertët e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm, për konsultimin e draftit dhe finalizimin e Dokumentit Analitik mbi situatën aktuale në fushën e Mirëqeverisjes, Antikorrupsionit dhe Sundimit të ligjit.

Në përfundim të tryezave, do të vijohet me Forumet e Dialogut me Qytetarët dhe hartimin e Planit të Veprimit për adresimin e të gjitha rekomandimeve dhe sugjerimeve të ardhura nga ky proces i hartuar nga ekspertët e Komisionit të Posaçëm.

Nën moderimin e Prof. Asoc. Dr. Jonida Rystemaj, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, u diskutuan gjetjet kryesore, arritjet dhe problematikat e evidentuara lidhur me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në sektorët me risk më të lartë, si:Prokurime publike; PPP dhe koncesione; Investime strategjike, Tatime, Dogana, etj.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, universitetet publike e jopublike, shoqëria civile, organizatat e biznesit, grupet e interesit, si dhe disa anëtarë të Komisionit të Posaçëm. Të pranishëm ishin edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Në tryezë morën pjesë ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: OSBE, Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Greqisë, Zvicrës, etj.

Bazuar në raportet e Komisionit Evropian, përfshirë edhe Raportin e fundit të progresit 2024 si dhe raportet e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, ekspertët vlerësojnë se vendi ka shënuar ecuri pozitive në luftën kundër korrupsionit, por gjithashtu theksojnë një sërë sfidash dhe problematikash që kërkojnë adresim.

Tatime dhe Dogana

Ekspertët vlerësojnë se sektori i Tatimeve dhe Doganave janë sektorë të vlerësuar me risk në kuadër të luftës kundër korrupsionit, pavarësisht një sërë masash të ndërmarra që lidhen me digjitalizimin e shërbimeve tatimore dhe doganore, sistemin e fiskalizimit, deklarimit të pronarëve përfitues, zbatimin efektiv të standardeve të kontabilitetit financiar në përputhje me Standardin Global të OECD-së, etj.

Në kuadër të parandalimit të korrupsionit në sektorin e Tatimeve, ekspertët theksojnë nevojën e miratimit e rregullores së brendshme për hetimin administrativ të sinjalizimeve dhe ruajtjen e konfidencialitetit, si dhe rregulloren e cila ndjek procesin e deklarimit të interesave private për punonjësit në bashkëpunim me ILDKPKI.

Në sektorin e tatimeve, në qeverisjen qëndrore dhe vendore, ekspertët vlerësojnë se është i nevojshëm harmonizimi i plotë i akteve ligjore me acquis-në e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Gjithashtu, duhet të shihet me prioritet rritja e efikasitetit të kontrolleve dhe procedurave për përzgjedhjen e subjekteve për inspektime, si edhe rritja e kapaciteteve dhe mekanizmave për hetime më efektive të rasteve të korrupsionit.

Në sektorin e doganave, sipas ekspertëve del si nevojë marrja e masave për intensifikimin e përpjekjeve për të ndjekur më efektivisht rastet e kontrabandës dhe korrupsionit, rritja e saktësisë në procedurat e vlerësimit dhe klasifikimin e mallrave për të siguruar pagesën e plotë të detyrimeve doganore, si dhe standardizimi i procedurave për trajtimin dhe deklarimin e mallrave për të siguruar një aplikim të njëtrajtshëm të ligjit dhe rritjen e transparencës.

Prokurimet publike

Një nga problematikat e hasura nga ekspertët është një progres i kufizuar në përafrimin e kuadrit ligjor për prokurimin publik me acquis të BE-së, gjë për të cilën ekspertët rekomandojnë ndërhyrje është harmonizimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor për prokurimin publik me Direktivat e BE-së, me qëllim përputhjen me standardet evropiane dhe përmirësimin e efikasitetit e transparencës në sistemin e prokurimit publik. Një tjetër problematikë e evidentuar nga ekspertët është lejimi që institucionet qëndrore të negociojnë drejtpërdrejt dhe të lidhin marrëveshje konsulence me subjekte ndërkombëtare në fusha me interes strategjik, duke i përjashtuar ato nga procedurat konkurruese.

Për këtë ekspertët rekomanduan që të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në këtë fushë, përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare me vende të treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, të jenë në përputhje me parimet themelore të transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mos-diskriminimit, duke respektuar njëkohësisht kërkesat e acquis të BE-së dhe MSA-në në fushën e prokurimit publik.

Një tjetër problematikë e prezantuar nga ekspertët që kërkon ndërhyrje sipas ekspertëve në kuadër të parandalimit të korrupsionit në prokurimin publik, është nxitja dhe përmirësimi i përdorimit të kriterit të “ofertës ekonomikisht më të favorshme bazuar në kosto”, për të mundësuar vendimmarrje të drejtë dhe të bazuar në një analizë të balancuar mes cilësisë dhe kostos.

Bazuar në raportin e KE, një tjetër problematikë e hasur është fakti që numri mesatar i ofertuesve mbetet i ulët në procedurat që kalojnë kufijtë e BE-së, dhe për këtë ekspertët theksojnë nevojën për përpjekje të mëtejshme për të rritur pjesëmarrjen në prokurimet publike. Një tjetër problematikë e hasur është që autoritetet kontraktore duhet të vazhdojnë të forcojnë kapacitetet për të menaxhuar proceset e prokurimeve publike. APP-ja duhet të forcojë mbështetjen ndaj autoriteteve kontraktore; t’i japë përparësi zbatimit të masave të planifikuara të profesionalizimit; etj.

Lidhur me nevojën për forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, ekspertët sugjerojnë ndër të tjera: përmirësimin e mekanizmave për identifikimin dhe raportimin e parregullsive; si dhe vëmendje e shtuar për zbatimin e inteligjencës artificiale në sistemin elektronik të prokurimit publik, pasi realizimi i tij kërkon sigurimin e të dhënave të plota dhe të sakta.

Një problematikë e hasur nga ekspertët është mungesa e një historiku për hetimin dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit në prokurimet publike, gjë për të cilën eksprtët sugjerojnë që APP-ja duhet të forcojë bashkëpunimin me institucionet e tjera; të krijojë një historik për hetimin dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit në prokurimet publike; përfshijë ekspertizë të specializuar, etj.

Koncesionet/PPP

Problematikë e hasur është përafrimi më tej i kuadrit ligjor me acquis-në e BE-së në fushën e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private. Sipas ekspertëve ligji i ri për koncensionet/PPP-të duhet të adresojë, ndër të tjera, propozimet e pakërkuara, duke ofruar procedura të qarta dhe transparente për trajtimin e tyre, të përcaktojë në mënyrë të detajuar ndarjen e rreziqeve operative ndërmjet sektorit publik dhe atij privat; të përcaktojë qartë fusha e zbatimit të ligjit, duke përfshirë llojet e projekteve dhe shërbimeve që përfshihen në koncesione dhe PPP.

Ekspertët kanë evidentuar se kapacitetet teknike për të hartuar dhe vlerësuar PPP-të duhet të zhvillohen më tej, dhe për këtë kanë sygjeruar ndërhyrje për: harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve; etj.

Investimet Strategjike

Ekspertët kanë evidentuar se ligji për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015, me synimin për të promovuar investimet e brendshme dhe të huaja në sektorë strategjikë, nuk arriti të tërheqë investime të rëndësishme të huaja, megjithëse afati i ligjit është zgjatur disa herë. Shumica e projekteve të miratuara janë të përqendruara në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas. Regjistri i Investimeve Strategjike, një instrument kyç për identifikimin, monitorimin dhe garantimin e transparencës, nuk është i aksesueshëm publikisht, siç parashikohet nga ligji, duke e bërë të vështirë monitorimin dhe vlerësimin publik të këtyre. Në këtë kuadër ekspertët kanë rekomanduar përmirësimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike; publikimin e Regjistrit të Investimeve Strategjike; monitorimin dhe vlerësimin periodik të investimeve strategjike, etj.

Diskutimet

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vlerësoi profesionalizimin e ekspertëve të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm dhe theksoi mbështetjen për punën e Komisionit dhe rëndësinë që Kuvendi i Shqipërisë po i kushton luftës kundër korrupsionit. Spiropali u shpreh se lufta e suksesshme kundër korrupsionit, por edhe përpjekjet institucionale të koordinuara për këtë luftë, përbën “thembrën e Akilit” në përpjekjet për të ndërtuar një vend me ekonomi të fortë, sektorë dhe tregje konkurruese, si dhe një shoqëri me drejtësi sociale dhe solidaritet njerëzor. Znj.Spiropali falënderoi Delegacionin e BE, Ambasadën e SHBA, partnerët ndërkombëtare dhe ekspertët e huaj për format e ndryshme të mbështetjes që i kanë dhënë këtij komisioni dhe Kuvendit të Shqipërisë.

“Qëllimi final i qeverisjes dhe i gjithë reformave në të cilat është përfshirë shoqëria shqiptare, është rritja e mirëqenies së qytetarëve. Korrupsioni nuk është thjesht një e keqe, por është një pengesë për arritjen e çdo qëllimi tjetër në një vend demokratik”, u shpreh Spiropali, duke nënvizuar se arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit janë të dukshme dhe vlerësohen vit pas viti nga Raportet e Departamentit të Shtetit dhe Progresraportit të Komisionit Europian.

“Ekziston një pritshmëri publike për përmirësim të situatës dhe gjetjen e zgjidhjeve më të duhura. Si Kryetare e Kuvendit sygjeroj që komisioni t’i rekomandojë institucioneve shtetërore strategjitë e zhvillimit të sektorëve, por dhe të bëjë rolin e vet për monitorimin dhe kontrollin e institucioneve”, u shpreh znj.Spiropali, duke nënvizuar se në planet e veprimit të institucioneve të mos lihet shteg për abuzimet dhe abuzuesit.

Gjatë diskutimeve Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, solli në vëmendje nevojën për marrjen në trajtim të problematikave që kanë sot proceset e shqyrtimit dhe zbatimit në Gjykatën Administrative.

Sipas tij duhet të bëhet një analizë lidhur me vendimmarrjen e administratës në zbatimin e vendimeve gjyqësore, si dhe kërkoi të shpejtohen proceset e shqyrtimit të sipërmarrjes private në proceset gjyqësore administrative.

Ilir Binaj, Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve bëri një përmbledhje të masave për digjitalizimin e shërbimeve tatimore, çka sipas tij kanë ulur ndjeshëm mundësinë për të bërë korrupsion, si dhe theksoi se Administrata Tatimore ka hartuar plane për të përmirësuar integritetin e nëpunësve të saj nëpërmjet trajnimeve , investigimit të çdo rasti që paraqitet për korrupsion, etj.

Delina Ibrahimaj, Ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit u shpreh se korrupsioni është një dukuri që pavarësisht investimeve që janë bërë në dixhitalizim apo mekanizma sinjalizues, kërkon një vëmendje të shtuar dhe nënvizoi rëndësinë e dialogut mes ekspertëve dhe përfaqësuesve të sektorit privat dhe shoqërisë civile, por edhe institucionet publike, për të kuptuar se çfarë elementësh duhet të përfshihen në planet e veprimit.

Lavdosh Ferruni, nga Shoqata e Bujqësisë Organike, vlerësoi nevojën e përfshirjes në analizën për parandalimin e korrupsionit edhe të vendimmarrjeve dhe strategjive të ndërmarra për investime që prekin natyrën, theksoi përfshirjen e qytetarëve në procese konsultative për vendimmarrje, etj.

Ardita Seknaj, përfaqësuese e ICC Albania, sugjeroi organizimin e tryezave për të mundësuar harmonizimin e kuadrit ligjor dhe institucional për investimet strategjike dhe atë për investimet e huaja, çka do të ndihmojë në parandalimin e korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat