Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, propozoi emërtimin e dy sallave të Kuvendit me emrat Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani.
“Dëshiroj t’ju bëj me dije se kam vendosur që për të nderuar emrin dhe kontributin politik, shoqëror e parlamentar të dy personaliteteve të shquar, të ndarë nga jeta, dy sallave të mbledhjeve në mjediset e ndërtesës së sallës së seancave të Kuvendit, t’u vëmë njërës emrin Bashkim Fino dhe tjetrës emrin Gerti Bogdani.
Bashkim Fino, ish-Kryeministër i Shqipërisë, ish-ministër dhe deputet i Kuvendit për 6 legjislatura, u nda nga jeta në detyrë, si deputet i Kuvendit. Gerti Bogdani, deputet i Kuvendit, për 2 legjislatura, u nda nga jeta në moshë të re.
Besoj se kam mbështetjen tuaj dhe të deputetëve të Kuvendit.”-u shpreh znj. Spiropali.