Engjëll Cani, babai i Martin Canit, ka dëshmuar për herë të parë sot në polici lidhur me vrasjen tragjike të djalit të tij 14-vjeçar. Ai ka dorëzuar deklaratat e tij në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, ndërsa po zhvillohen hetimet e drejtuara nga Prokuroria e Kryeqytetit. Gjatë seancës, Engjëll Cani ka marrë sendet personale të të birit, përfshirë çantën me librat e shkollës, të cilat djali kishte me vete ditën kur u vra.
Babai mësohet se ka deklaruar se nuk kishte dijeni për konfliktin që djali i tij kishte patur me autorin e dyshuar të vrasjes, Mario Përlleshaj, katër ditë para ngjarjes. Ai mëtej bëhet me dije se ka theksuar se nuk është informuar nga shkolla apo institucionet për këtë çështje. Oficerët e Policisë Gjyqësore e kanë pyetur gjithashtu nëse familja e autorit e ka kontaktuar pas ngjarjes, por Engjëll Cani ka deklaruar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më sot. Ai ka shtuar ndër të tjera se bashkëshortja e tij ka marrë vetëm një telefonatë nga shkolla për ngjarjen, dhe përpjekjet për të komunikuar me stafin e shkollës kanë rezultuar të pasuksesshme.
Ngjarja ndodhi më 18 tetor, kur Martin Cani u qëllua me thikë në bark nga Mario Përlleshaj pas një konflikti mes tyre që kishte filluar në oborrin e shkollës dhe kishte agravuar jashtë saj. Të dy ishin nxënës në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” dhe ndodheshin në klasa paralele. Pas sulmit, Martin Cani arriti të ecte disa metra drejt shkollës për ndihmë, por u rrëzua në trotuar për shkak të plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Gjatë konfliktit, i plagosur mbeti edhe Luis Meçe, shoku i ngushtë i viktimës, i cili ndonëse nuk mësonte në të njëjtën shkollë, ishte pjesë e të njëjtit klub futbolli me viktimën. Autori, Mario Përlleshaj, gjithashtu pësoi dëmtime në dorë dhe u trajtua për disa ditë në një spital privat pas ngjarjes.