Ekonomia e Shqipërisë ka përfituar 3.8 miliardë euro nga turizmi deri në shtator të vitit 2024. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në 9 muaj shpenzimi ditor për udhëtar është vlerësuar në rritje.
Ky tregues shihet si sinjal rritjeje, por dhe konsolidim i mëtejshëm për sektorin e turizmit në vendin tonë.
Zëvendësministrja e Turizmit, Ilva Gjuzi, e ftuar në “Money Report” u shpreh se turistët nuk vijnë në Shqipëri vetëm për detin, por duan të eksplorojnë të gjithë territorin.
Ajo theksoi se përgjatë vitit në Shqipëri kanë ardhur turistë nga Lindja e Largët, Australia dhe Zelanda e Re.
“Kemi turistët po vijnë gjatë gjithë vitit. Turistët po vijnë gjatë gjithë vitit, njerëzit që vijnë sot në Shqipëri, nuk vijnë vetëm për bregdetin, por vijnë për të gjithë territorin. Shqipëria tashmë është një destinacioni përtej detit. Flukset ekzistuese që kanë qenë nga rajoni i Ballkanit dhe Evropë, vazhdojnë të jenë në rritje, por kemi flukse nga Amerika dhe Lindja e Largët dhe është shumë e kënaqshme për ne, kur shikojmë se interesi vjen nga të gjithë anët globit. Edhe nga Australia dhe Zelanda e Re, kemi turistë. Me rritjen e teknologjisë, ku rrjetet sociale janë bërë të pandashme, marketingu më i mirë po bëhet nga vetë vizitorët dhe ndihen të kënaqur dhe e shpërndajmë. Shumë destinacione të Shqipërisë janë bërë virale, për pos punës që është bërë nëpër panaire”, u shpreh ajo.
Gjatë diskutimit në studio me gazetaren Genta Dobra, Gjuzi u shpreh se vendi ynë e ka diversifikuar ofertën turistike dhe një turist i huaj ka shumë alternativa për të shpenzuar paratë dhe për të shtuar netët e qëndrimit.
Ajo theksoi se plani i qeverisë shqiptare është që turizmi të jetë gjithëvjetor në vendin tonë.
“Shqipëria ka sot më shumë vende, ku ti mund të harxhosh para. Ka diversitet oferte. Turizmi ka një impakt me 10% në GDP shqiptare, kontributi jodirekt është 25%, që do të thotë është një industri që ndërlidhet pashmangshmërisht në ekonominë shqiptare. Shqipëria duhet të jetë një vend që zhvillon turizëm të qëndrueshëm, në të gjithë territorin shqiptar. Po punojmë për formalizmin e strukturave akomoduese. Investimet po bëhen dhe këto investime janë cilësore. Oferta që po hartohet është e një niveli shumë të lartë”, tha ajo.