Juristi Rezart Kthupi dhe Edvin Kulluri diskutuan në studion e News24 situatën rreth mandatit të Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, duke ofruar interpretimet e tyre mbi rastin.
Kthupi vuri në dukje përplasjen mes Gjykatës Kushtetuese (GJK) dhe Gjykatës së Lartë (GJL). “Gjykata Kushtetuese, në zbatim të ligjeve, duhej të shpallte vakancën për pozicionin e Zaçajt në datën 10 dhjetor, por pasi nuk e bëri këtë, Gjykata e Lartë ndërhyri duke bërë shpalljen e vakancës,” tha Kthupi.
“Po vijon një konflikt mes GJK dhe GJL. GJK duke zbatuar ligjet kushtetuese duhet të vendoste në datën 10 dhjetor shpalljen e vakancës për pozicionin e Holta Zaçajt.Për shkak se GJK nuk e bëri këtë, Gjykata e Lartë vendosi të bëjë shpalljen e vakancës”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Kulluri argumentoi se mandati i Zaçajt nuk mund të zgjatet përtej datës së përcaktuar. “Zonja Zaçaj nuk ka të drejtë të qëndrojë asnjë ditë më shumë në këtë mandat. Gjykata Kushtetuese ka autoritet të plotë për çështjet dhe nuk është e varur nga Komisioni i Venecias,” theksoi ai.