Në Tiranë, studiues dhe diplomatë nderuan profesorin e shquar Peter Prifti me një takim përkujtimor në 100 vjetorin e lindjes së tij. Oratorët vlerësuan nivelin e lartë shkencor të studimeve të tij në filozofi, politikë dhe gjuhësi, duke u bërë një personalitet i rëndësishëm i diasporës shqiptare në SHBA. Ata theksuan se zoti Prifti dha një ndihmesë të çmuar në çështjen kombëtare gjatë vetizolimit të Shqipërisë komuniste dhe gjatë përplasjeve shqiptaro-serbe në Kosovë.
Gjatë jetës së vet 86 vjeçare profesori i shquar Peter Prifti krijoi një seri librash mbi historinë, kulturën dhe politikën e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe një sërë shkrimesh në revista dhe gazeta të njohura.
Autori, ndër më të njohurit nga radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA, u nderua në Tiranë në 100 vjetorin e lindjes për këtë krijimtari kaq të frytshme dhe të pasur studimore gjatë një tubimi, ku morën pjesë diplomatë, historianë, shkrimtarë e poetë, si dhe familjarë të tij.
“Piterin ne e kemi njohu jo fizikisht, por mendërisht, pasi kemi lexuar librat e tij, që ishin të ndaluar si Rezervat në Bibliotekën e Shqipërisë. Vërtet ai ka qenë një nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare dhe të intelektualëve shqiptaro-amerikane të kohës. Piteri ka qenë një nga përfqësuesit elitarë shqiptarë”, tha në tubim historiani Paskal Milo.
Studiuesit pohuan se Profesor Peter Prifti u shqua gjithë jetën e tij si mbrojtës i interesave kombëtare në periudhat më të vështira të diktaturës të vet-izolimit të regjimit komunist të Shqipërisë dhe dekadave të përballjes shqiptaro-serbe në Kosovë.
Ai shkroi e botoi qindra faqe si historian, sociolog, gjuhëtar, publicist, shkrimtar e përkthyes, ndërsa ishte profesor në Universitetin e San Diegos të Kalifornisë dhe veprimtar i diasporës shqiptare në SHBA.
Krahas shumë librave dhe shkrimeve historike, kulturore, bashkautor në libra mbi gjuhën shqipe, çështja e Kosovës ka qenë një shqetësim kryesor i profesor Peter Priftit, për të cilën botoi shumë shkrime dhe një libër të posaçëm me studime.
“Peter Prifti është i pari që filloi të shkruajë për Kosovën qysh në vitin 1968 në gazetat e mëdha amerikane New York Times, Washington Post etj. Të gjithë materialet që shkroi për 31 vjet u mblodhën në një libër në anglisht. Peter Prifti ishte një të parët që shkroi për lirimin e Adem Demaçit nga burgu. U ndjeva shumë krenare kur gjeta me gëzim në mjediset tona familjare një libër me përkushtimin nga Demaçi për xhaxhanë tim “Vëllait tim Peter Prifti”, thotë për Zërin e Amerikës Julika Prifti, mbesa e profesorit dhe mikpritëse e tubimit.
Profesor Peter Prifti ishte veprimtar i "Vatrës" mes drejtuesve të saj nga mesi i shekullit të kaluar, autor i gazetës Dielli në Boston, një nga bashkëpunëtorët e Fan Nolit, ndërsa më pas punoi në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, një qendër e njohur e studimeve ndërkombëtare.
Ndër librat më të njohur të profesor Peter Priftit janë “Shqipëria Socialiste nga 1944”, Përballja në Kosovë, lufta shqiptaro-serbe 1966-99”, “Shqipëria nga larg”, politikat e izolimit”, “Atdheu i shqiptarëve, një kryqëzim i dhimbjes me krenarinë”, “Mozaik Shqiptar”, “Portreti i Papërfunduar i Atdheut”, pa përfshirë këtu një seri librash mbi shqipen e folur dhe shqipen standarte, si dhe një mori përkthimesh dhe krijimesh origjinale në shqip.
“Librat nga Peter Prifti, Stavro Skëndi, Nikolla Pano, Elez Biberaj më vonë, si dhe Ilir Ikonomi, plotësojnë një vakuum shumë të madh sa i takon deheroizimit të historisë së Shqipërisë dhe për të çuar tek brezat tani dhe për të bërë të qartë në të ardhmen se çfarë ka qenë historia politike e Shqipërisë në kohën e diktaturës”, tha në tubim Albert Rakipi, drejtues i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare.
Profesor Peter Prifti vlerësohet në Shqipëri dhe në SHBA si një personalitet i shquar i kulturës shqiptare në diasporë, si një autor që ka dhënë ndihmesë me rëndësi në zhvillimin e shkencave albanologjike.
Ai u lind në fund të vitit 1924 në Rehovë të Shqipërisë dhe pas mbërritjes në SHBA në moshën 16 vjeçare, u bë atje një figurë e rëndësishme e intelektualëve shqiptarë në SHBA, ku kreu studimet për arte dhe letërsi.
Peter Prifti ndërroi jetë në gusht 2010 në San Diego të Kalifornisë dhe familjarët përmbushën porosinë e tij të fundit, që trupi i tij të prehej në atdhe.