Ka përfunduar pas 9 orësh seanca për dosjen e sterilizimit. Gjatë seancës ka pasur debate nga ana e personave të pandehur të cilët kanë ngritur pretendime në lidhje me provat e prokurorisë. Biznesmeni Ilir Rrapaj ka mohuar akuzat e prokurorisë, por ka pranuar njohjen me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Në seancë pas shumë debatesh mes palëve, në përfundim të pandehurit kanë kërkuar pushim të çështjes ose kthim për hetime në SPAK, por në rast se gjykata vendos kalimin e çështjes për gjykim të pandehurit kanë kërkuar që të gjykohem me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
I vetmi që ka kërkuar gjykim të zakonshëm është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Prokuroria e Posaçme u ka qëndruar sërish kërkesave të saj për kalimin e dosjes për gjykim, pasi sipas tyre ka prova për të mbështetur akuzën. Gjykata e posaçme do të shpallë vendimin për këtë çështje në datën 29 dhjetor në orën 9:30.
Gjykata mori kohë për të shqyrtuar të gjitha pretendimet e ngritura nga palët gjatë zhvillimit të seancave nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre. Po ashtu për të shqyrtuar edhe provat që ka SPAK për këtë çështje.