Kryetari i PD-së, Sali Berisha i pranishëm në ceremoninë për shkollën politike të FRPD-së u shpreh se vlerat tona janë tradicionale, janë liria dhe dinjiteti njerëzor dhe se lideri duhet të jetë guximtar dhe të jetë vetvetja
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, por edhe një mirënjohje shumë të thellë, të pakufishme ndaj drejtuesve tuaj, Besartit, profesor Arjanit, të gjithë bordit drejtues, kryesisë së forumit për organizimin e kësaj shkolle, një ngjarje e madhe jo vetëm në jetën e gjithsecilit prej jush, por ju garantoj se është një ngjarje e madhe, e veçantë në jetën e PD dhe të kombit shqiptar.
Një përshëndetje kam për deputetët e pranishëm në këtë takim, drejtuesit e PD, të cilët kanë ardhur tek ju për të ndarë këtë ngjarje shumë të rëndësishme.
Sot ju përfundoni një shkollë kushtuar politikës dhe secili nga ju duhet të ndjehet krenar që ndoqi këtë shkollë.
Ju studioni në fusha të ndryshme ose punoni në sektorë të ndryshëm, keni një profesion, synoni një profesion, por nuk duhet kurrë të harroni se në hierarkinë e të vërtetave mbi të cilat njeriu punon, në filozofi në inxhinieri, në high-tech, në mjekësi, janë disa të vërteta të tjera më eprore.
Janë disa të vërteta të tjera që në këtë hierarki janë kurora e saj dhe këto të vërteta janë liritë, të drejtat e njeriut, vlerat universale të njeriut të lirë.
Pra, shkolla që ju përfundoni përbën një drejtim të ri nga ai i profesionit, përbën ama, do thosha drejtimin më të mirë që mund të merrni ju në jetë sepse sado e vështirë që është politika, dhe është arti i të vështirës, por nuk ka tjetër si ajo që të jetë Leva e Arkimedit për të ndryshuar shoqërinë dhe botë.
Por ju keni një fat të madh ndaj dhe unë e vlerësova sepse kjo shkollë iu pajis juve me nocionet dhe dijet më të rëndësishme në këtë betejë që kemi përpara.
Unë kam përjetuar revolucionin e dhjetorit 1990.
Këtu ka ish-studentë të asaj kohe.
Duhet ta dini që ABC-ja e tyre politike ishte vetëm instinkti për lirinë. Mungonin në atë alfabet pothuajse shumica dërrmuese e njohurive, jo vetëm për ata, por për ne që u bashkuam me ta.
Megjithë këtë, ata, mosha juaj ishin, me armën e guximit, dhe këtu duhet të dal, me një guxim epik dolën në rrugën dhe u përballën me diktaturën.
Nga e gjetën ata këtë guxim? Si ka mundësi që ata djem dhe vajza, po qe se ishe student në atë kohë, po qe se ishe i privilegjuar, po qe se ishe pedagog, ishe i privilegjuar, sepse të persekutuari dhe të deklasuarit shumë rrallë mund të shkelnin në bankat e universitetit.
Çfarë i shtyu ata? Thashë instinkti për lirinë dhe guximi i tyre.
Ata guxuan të jenë vetja e tyre. Ndaj dhe të jesh lider, kurrë mos harroni, duhet të guxoni të jeni vetja juaj.
Duhet të guxoni të jeni vetja juaj, por kjo është vetëm një aspekt.
Për çfarë e përdor guximin? Cilat janë vendimet që merr? Lideri është vendimmarrës, një lider merr vendime, i peshon dhe vendos.
Pra, ju në fakt keni dëshmuar dhe keni vendosur t’u dilni zot atyre vlerave që janë vlerat eprore për të gjithë konservatorët në Shqipëri dhe botë.
Vlerat tona janë tradicionale, janë liria dhe dinjiteti njerëzor.
Ju duhet ta dini se këto kanë qenë të garantuara në Magna Carta, në Deklaratën, por absolutisht kanë qenë të garantuara edhe në ligjin më të lashtë të shqiptarëve, në të cilin për fjalën e lirë, ishin të gjithë të barabartë, si ai që ulej në krye dhe të tjerët që ndoshta u binte fjala në fund, por për fjalën ishin të gjithë një.