“Do bëjmë terror, thikën në fyt”, dëshmitë e vrasësve të 15 vjeçarit. Nëna e tij: Po ‘luajnë’ me gjakun e tim biri!

Shqipëria

“Do bëjmë terror, thikën në fyt”, dëshmitë e vrasësve të 15 vjeçarit. Nëna e tij: Po ‘luajnë’ me gjakun e tim biri!

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 20:51
Ilustrim

Fiks Fare ndoqi për disa ditë rastin e vrasjes së 15-vjeçarit Fatjon Bicit, në muajin maj 2023 në qytetin e Gramshit. Babai, nëna dhe familjarët kërkuan ndihmën e emisionit investigativ, pasi dy nga autorët e vrasjes së djalit të tyre ishin liruar nga burgu, pa iu dhënë atyre asnjë shpjegim.

Fiksi u interesua në Policinë e Gramshit ku mësoi se lirimi ishtë bërë nga gjykata dhe se dy autorët duhet të mbaheshin me masën e arrestit shtëpiak. Ndërkohë, Fiksi u interesua disa ditë më parë në Apelin e Tiranës ku mësoi se vendimi i lirimit ishte bërë për shkak të zvarritjeve të shumta të procesit të hetimit dhe gjykimit në Prokurorinë dhe Gjykatën e Elbasanit. Dy autorët kishin më shumë se 18 muaj në qeli dhe ligji parashikon se s’mund të rrinë më shumë në qeli. Ndërkohë, ditën e sotme, më 12 dhjetor 2024, u zhvillua seanca e radhës dhe pas interesimit të “Fiks Fare”, Apeli riktheu në qeli dy autorët, madje la në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit.

Klithma e nënës: Po ‘luajnë’ me gjakun e tim biri!

Disa ditë më parë, grupi i Fiks Fare udhëtoi në qytetin e Gramshit, pas kërkesës për “ndihmë” nga familjarët e viktimës Fatjon Bici. Mustafai dhe bashkëshortja e tij kërkuan ndihmën e Fiks Fare për shkak se kanë mësuar rastësisht se vrasësi i djalit të tyre, Ergi Karaj, është liruar nga burgu.

Për ngjarjen e muajit maj 2023 tregojnë se janë lajmëruar nëna nga mësuesi dhe iu është thënë se djalin e kanë pak pa qejf. Në momentin që kanë shkuar, e kanë gjetur djalin të shtrirë përtokë, i vdekur në vendin e ngjarjes afër shkollës 9 vjeçare “Asllan Shahini”. Sipas familjarëve, molla e sherrit ka qenë një shok i djalit të tyre Qetsor H. Autorët janë nisur për të bërë sherr me Qetsorin dhe djali i tyre ka ndërhyrë që t’i ndajë. Ata thonë se e kanë goditur disa herë me thikë në zemër dhe kishte plagë thike në të gjithë trupën.

Prindërit janë shumë të shqetësuar për seancat gjyqësore dhe sesi janë zhvilluar ato. Njëherë nuk vinte gjykatësi, një herë tjetër prokurori. Pasi u mor vendimi për 18 vite burg, apeluan përsëri dhe gjyqi u shty për datë 12 dhjetor në Apelin e Tiranës.

Ndërkohë, 2 prej autorëve ku njëri prej tyre është kryesori Ergi Karaj, i dënuar ky me 27 vite burg (gjykim të shkurtuar 18 vite) është kthyer në shtëpi me arrest shtëpie. Këtë lajm familjarët e viktimës e kanë mësuar nga banorët e ndryshëm të Gramshit. Më pas kanë bërë bisedë me shefin e komisariatit që u ka thënë që kjo është e vërtetë dhe ndodhet në shtëpi në arrest shtëpie. Familjarët kërkojnë burgimin e autorëve, pa gjykim të shkurtuar dhe të vendoset drejtësi.

Nëna e viktimës përlotet dhe thotë se “ma morën djalin”. “Nuk ka shtet, ata duhet të jenë në burg, “djali im është në dhe’, kush do mendojë për atë. Po luajnë me gjakun e djalit tim” thotë Afërdita Bici.

Pas ankesës, familjarët e viktimës shkojnë në Komisariatin e Policisë në Gramsh, ku kërkojnë të takojnë Shefin e Komisariatit, por nuk është dhe bisedojnë me punonjës të tjerë. Punonjësi pranon se autorët janë në shtëpi, po ruhen nga policët. Nuk i lënë që të dalin nga shtëpia, se janë me masë sigurie arrest shtëpie. Po e bëjnë dënimin e tyre deri në momentin që të merret një vendim tjetër.

Punonjësi i policisë u thotë familjarëve se “këtu s’ka drejtësi, s’ka gjykatë dhe askujt mos t’i bjerë”. Ai shton se autorët e çuan në Apel dhe krijuan atje një boshllëk dhe tani janë në arrest shtëpie. “Ne na krijojnë probleme që të ruajmë kriminelin dhe të rrinë në qeli. Edhe ne jemi prindër dhe themi ça bëhet kështu. Ai duhet të merret burgun e përjetshëm” u thotë polici familjarëve.

“Do bëjmë terror, thikën në fyt”, dëshmitë e vrasësve

Fiks Fare ka siguruar dosjen hetimore dhe gjyqësore të vrasjes së 15 vjeçarit. Në dosje autorët flasin në aplikacionet “Tik Tok” dhe “Snap Chat” se “do të bëjmë terror”. Madje, ata blejnë në internet thika dhe doreza në qytetin e Gramshit, pavarësisht se janë të mitur.

Ata kanë dëshmuar se e kanë qëlluar disa herë, objektivi ishte personi tjetër po viktima u doli përpara. Tregojnë se janë zënë në rrjete sociale me njëri-tjetrin janë sharë dhe ofenduar. “E goditën Ergin në fytyrë dhe atëherë Ergi kishte në dorën e djathtë thikën me buton e goditi në kurriz me thikë. Kur na kapi policia, Ergi e hodhi thikën e gjakosur” ka dëshmuar njëri prej tyre.

Një dëshmitar tjetër tregon se “në aplikacionin Tik Tok më pyetën nëse e njihja Qetsorin dhe se kishte probleme me të dhe do të zihej. Instalova aplikacionin ‘Snap Chat’, ku Orgito më dërgonte foto me doreza hekur dhe thika. Në njërin prej mesazheve Orgita më shkroi duke i thënë që ‘a e pe foton e dorezës së hekurit’ që të dërgova në Snap Chat pasi me këto mjete do të vij”.

Në dosje jepen detaje nga këqyrja e telefonëve të autorëve, ku në telefonin e Orgitos janë 7 foto ku përmenden blerje dorezash. Në “Tik Tok” vërehen biseda me përdoruesin Rudolf ku përmendet nga Orgito “nesër do shohësh terror, shihe. Nesër do e shohësh”.

Madje në biseda në “Tik Tok” jepen detaje se çfarë do të bëjnë, madje të autorit Ergi Karaj me doreza të boksit, biseda me Orgito që pranon se ka thikë dhe komenton se “thikën në fyt”, “thikën në bark”.

Zvarritja e proceseve solli lirimin e autorëve

Në dosje është edhe konkluzionet përfundimtare të prokurorit Neritan Hoxha, i cili ka kërkuar dënimin e autorit kryesor Ergi Karaj me 12 vite burg, (me gjykim të shkurtuar 8 vite). Për Stiven Muratin, Orgito Çarçiun dhe Xhonatan Çekrezin kërkoi dënimin e secilit me 6 vite e 8 muaj burg.

Ndërkohë, gjykata ndryshe nga prokurori e dënoi autorin kryesor me 27 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar 18 vite burg. Stiven Muratin me 6 vite e 8 muaj burg. Orgita Çarçiun me 14 vite burg dhe Xhonatan Çekrezin me 8 vite burg.

Vendimi i gjykatës është dhënë me shumicë, teksa një anëtare e gjykatës ka pasur edhe mendim pakice. Gjyqtarja Thomaidha Roça mendon se nuk duhej pranuar gjykimi i shkurtuar, pasi ligjvënësit kanë shkruar në Kodin e Procedurës Penale se “nuk lejohet kërkesa për gjykim të shkurtuar për veprat penale për të cilat parashikohet dënimi me burgim të përjetshëm”.

Procedimi është regjistruar në datën 17 maj 2023. Prokuroria ka dërguar dosjen në gjykatë në datën 17 nëntor 2023. Gjashtë muaj më pas, më datë 29 prill 2024, është dhënë vendimi nga Gjykata e Elbasanit. Zvarritjet kanë vijuar edhe me zbardhjen e vendimit. Gjyqtarët e dorëzuan në sekretari në muajin korrik 2024. Dhe, vetëm në shtator të këtij viti, dosja u dorëzua në Apelin e Tiranës. Në seancën e datës 14 nëntor, gjyqtari i Apelit Fuat Vjerdha ishte sëmurë dhe çështja u shty në 12 dhjetor. Nëse seancat shtyhen për faj të prokurorisë dhe gjykatës, afatet e paraburgimit nuk pezullohen.

Në datën 4 dhjetor, me një vendim të beftë, gjyqtari Fuat Vjerdha mori një vendim të ndërmjetëm, duke ndryshuar masën e arrestit nga burg në arrest shtëpie ndaj dy autorëve kryesorë, Ergi Karaj dhe Orgito Çarçiu, të dënuar me 18 dhe 14 vite burg nga shkalla e parë. Arsyetimi ishte për shkak se ka humbur fuqia e paraburgimit, nga zvarritjet e pajustifikuara të hetimit dhe gjykimit.

Në seancën e datës 12 dhjetor 2024, Fiksi shkoi në Apelin e Tiranës, ku mori pjesë në seancë. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, për shkak se autorët janë të mitur. Në proces familjarët e viktimës i kërkuan gjyqtarit arsyen e lirimit. Gjytqari arsyetoi se ka humbur fuqia e paraburgimit, për shkak të zvarritjeve. Në fund, gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit.

“Unë doja të dënoheshin sa thotë letra, jo me gjykim të shkurtuar. Kam 1 vit e gjysmë që rri lart e poshtë. Edhe tani s’mora drejtësi” tha për Fiksin, Mustafa Bici, babai i viktimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat