Në Shqipëri, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj thirri sot trupën e anëtarëve për deklarimin e mbarimit të mandatit të saj, duke shënuar kështu tërheqjen nga një çështje që kishte çuar në një përplasje të fortë me Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit nisi ditën e djeshme procedurat për zëvendësimin e saj. Një akt të cilin zonja Zaçaj, e konsideroi në shkelje të Kushtetutës, duke qenë se siç i tha Zërit të Amerikës mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa dy institucionet më të rëndësishme të sistemit gjyqësor në vend, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kishin hyrë në një kurs përplasjeje për shkak të interpretimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, njëkohësisht dhe kryetare e Kushtetueses, një lëvizje e sotme e kësaj të fundit duket se e shmang konfliktin.
Përmes një shkrese drejtuar trupës së anëtarëve të Gjykatës, zonja Zaçaj, pasi shpjegon të gjithë situatën e krijuar dhe qëndrimin e saj ndaj çështjes “në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në interes publik, për të shmangur një mosmarrëveshje kushtetuese, në përputhje me kompetencat e mia, por edhe në ushtrim të përgjegjësive të mia si anëtare e kësaj Gjykate, ju drejtohem formalisht me kërkesë për deklarimin e mbarimit të mandatit tim si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”. Trupa e gjyqtarëve është mbledhur gjatë ditës së sotme, pa arritur në një vendim, dhe pritet të mblidhet sërish nesër.
Zonja Zaçaj u emërua në janar të vitit 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë.
Sipas Gjykatës së Lartë, mandati i zonjës Zaçaj përfundon më 10 mars 205 dhe për këtë, më datën 10 dhjetor ajo duhet të kishte deklaruar përfundimin e mandatit dhe të kishte njoftuar Gjykatën e Lartë si organ i emërtesës, duke vënë në dukje faktin se zonja Zaçaj ishte në dijeni të datës, pasi ajo ishte njoftuar në dy shpallje vakancash për rastin, dhe se ajo vetë i ishte referuar kësaj date në aplikimin e saj.
Por zonja Zaçaj i tha Zërit të Amerikës, se në qëndrimin e saj publik dy ditë më parë nuk kishte mohuar dijeninë, por se “kur unë do të veproj si kryetare më duhet të konstatoj ngjarje juridike që më përcakton ligji, nuk mundem të merrem si është njoftimi. Dispozita kushtetuese, neni 179, pika 3 më cakton vetëm një vit që është 2025, dhe brenda kuadrit kushtetues, në vendimin e emërimit, unë përsëri nuk kam një datë. Por thuhet “deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”. Pra unë nuk kam një datë as në Kushtetuë dhe as në vendim”.
Zonja Zaçaj thekson më tej se “datat e njoftimeve nuk mund të përputhen me përfundimin e detyrës, për faktin se për gjyqtarin që ka bërë betimin, data e përfundimit të mandatit, do të jetë një datë e ndryshme nga ajo që ka shpallur Gjykata Lartë”, duke sjellë si shembull rastin e gjyqtarit Ilir Toska.
Për këtë arsye, për të llogaritur përfundimin e mandatit të saj, ajo thotë se i është referuar nenit 148 të Kodit të Procedurës Civile që flet për llogaritjen e afateve. Në interpretim të tij, ajo shprehet se ka qenë gjithë e bindur se mandati i saj duhet të përfundojë në fund të vitit 2025, e për këtë arsye nuk kishte patur arsye të niste procedurën e deklarimit të përfundimit të mandatit.
Por Gjykata e lartë, e konsideroi këtë si një mospërmbushje të detyrimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe shpalli dje vakancën për postin e zonjës Zaçaj. “Gjykata e Lartë, si organ emërtese është ngarkuar nga neni 125, pika 1 i Kushtetutës të ushtrojë kompetencën e saj ekskluzive për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, pa u penguar nga asnjë organ tjetër kushtetues”, thuhet në njoftimin e firmosur nga kryetari Sokol Sadushi.
Për zonjën Zaçaj, ky akt i Gjykatës së Lartë “është në shkelje të kushtetutës sepse mbarimi i mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetues deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Zoti Sadushi nuk mund të shpallë vakancë pa respektuar Gjykatën Kushtetuese. Sot jemi në kushtet kur organi emërtesës vendos vetë dhe thotë nuk pyes fare”, thotë ajo për Zërin e Amerikës, duke shtuar se e konsideron të “rëndë, precedentin e prekjes së mandatit të një gjyqtari, aq më tepër që paqartësia është evidente”.
Për këtë çështje ajo ka kërkuar interpretimin e Komisionit të Venecias, duke shfrytëzuar “kompetencën që më jep detyra si kryetare e Gjykatës”. Arsyeja e këtij vendimi sipas saj “lidhet me nevojën për të patur një interpretim të rastit kur data e përfundimit të mandatit të një gjyqtari konsiderohet si data e fillimit të gjyqtarit pasues”, siç konsiderohet nga Gjykata e Lartë rasti I saj me mandatit e zonjës Tusha.
Zonja Zaçaj këmbëngul se qëndrimi i saj, “nuk lidhet me 7-8 muaj më shumë të mandatit tim, por me efektet e mundshme te mandate të tjera, si ai i anëtares së dorëhequr Elsa Toska, apo anëtares Sonila Bejtja e potencialisht dhe te mandati i gjyqtarit Sandër Beci”, shpjegon zonja Zaçaj për Zërin e Amerikës, duke shtuar që “për të mos i vendosur dy institucionet në konflik, t’ja çojmë Komisionit të Venecias”.
Ndonëse ajo i është përmbajtur pozicionit të saj, edhe në kërkesën drejtuar trupës së anëtarëve, vendimi për deklarimin e përfundimit të mandatit, mund ta bëjë tashmë të panevojshme përfshirjen e Komisionit të Venecias.