Dy nga katër autorët e vrasjes së 15-vjeçarit Fatjon Bici në maj në Gramsh janë liruar nga burgu.
Babai, nëna dhe familjarët kërkuan ndihmën e emisionit investigative Fiks Fare pasi dy nga autorët e vrasjes së djalit të tyre ishin liruar nga burgu, pa iu dhënë atyre asnjë shpjegim.
Fiksi u interesua në Policinë e Gramshit ku mësoi se lirimi ishtë bërë nga gjykata dhe se dy autorët duhet të mbaheshin me masën e arrestit shtëpiak. Ndërkohë, Fiksi u interesua disa ditë më parë në Apelin e Tiranës ku mësoi se vendimi i lirimit ishte bërë për shkak të zvarritjeve të shumta të procesit të hetimit dhe gjykimit në Prokurorinë dhe Gjykatën e Elbasanit. Dy autorët kishin më shumë se 18 muaj në qeli dhe ligji parashikon se s’mund të rrinë më shumë në qeli. Ndërkohë, ditën e sotme, më 12 dhjetor 2024, u zhvillua seanca e radhës dhe pas interesimit të “Fiks Fare”, Apeli riktheu në qeli dy autorët, madje la në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit.
Disa ditë më parë, grupi i Fiks Fare udhëtoi në qytetin e Gramshit, pas kërkesës për “ndihmë” nga familjarët e viktimës Fatjon Bici. Mustafai dhe bashkëshortja e tij kërkuan ndihmën e Fiks Fare për shkak se kanë mësuar rastësisht se vrasësi i djalit të tyre, Ergi Karaj, është liruar nga burgu.
Për ngjarjen e muajit maj 2023 tregojnë se janë lajmëruar nëna nga mësuesi dhe iu është thënë se djalin e kanë pak pa qejf. Në momentin që kanë shkuar, e kanë gjetur djalin të shtrirë përtokë, i vdekur në vendin e ngjarjes afër shkollës 9 vjeçare “Asllan Shahini”. Sipas familjarëve, molla e sherrit ka qenë një shok i djalit të tyre Qetsor H. Autorët janë nisur për të bërë sherr me Qetsorin dhe djali i tyre ka ndërhyrë që t’i ndajë. Ata thonë se e kanë goditur disa herë me thikë në zemër dhe kishte plagë thike në të gjithë trupën.
Prindërit janë shumë të shqetësuar për seancat gjyqësore dhe sesi janë zhvilluar ato. Njëherë nuk vinte gjykatësi, një herë tjetër prokurori. Pasi u mor vendimi për 18 vite burg, apeluan përsëri dhe gjyqi u shty për datë 12 dhjetor në Apelin e Tiranës.
Ndërkohë, 2 prej autorëve ku njëri prej tyre është kryesori Ergi Karaj, i dënuar ky me 27 vite burg (gjykim të shkurtuar 18 vite) është kthyer në shtëpi me arrest shtëpie. Këtë lajm familjarët e viktimës e kanë mësuar nga banorët e ndryshëm të Gramshit. Më pas kanë bërë bisedë me shefin e komisariatit që u ka thënë që kjo është e vërtetë dhe ndodhet në shtëpi në arrest shtëpie. Familjarët kërkojnë burgimin e autorëve, pa gjykim të shkurtuar dhe të vendoset drejtësi.
Nëna e viktimës përlotet dhe thotë se “ma morën djalin”. “Nuk ka shtet, ata duhet të jenë në burg, “djali im është në dhe’, kush do mendojë për atë. Po luajnë me gjakun e djalit tim” thotë Afërdita Bici.
Pas ankesës, familjarët e viktimës shkojnë në Komisariatin e Policisë në Gramsh, ku kërkojnë të takojnë Shefin e Komisariatit, por nuk është dhe bisedojnë me punonjës të tjerë. Punonjësi pranon se autorët janë në shtëpi, po ruhen nga policët. Nuk i lënë që të dalin nga shtëpia, se janë me masë sigurie arrest shtëpie. Po e bëjnë dënimin e tyre deri në momentin që të merret një vendim tjetër.