“Non grata” në SHBA, Berisha: Shpresoj se do e shqyrtojë administrata e re Trump

Shqipëria

“Non grata” në SHBA, Berisha: Shpresoj se do e shqyrtojë administrata e re Trump

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 23:16
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se shpreson që administrata e re amerikane nën drejtimin e Donald Trump do ta shqyrtojë vendimin ndaj tij për ta shpallur “non grata”. Berisha tregoi në emisionin “Opinion”në Tv Klan, se pse u kërkoi shqiptarëve në Amerikë që të mbështesnin Donald Trump në zgjedhje.

Pjesë nga intervista:

Blendi Fevziu: Ju po kërkoni votën e shqiptarëve si kryeministër ndërkohë vijoni të jeni i sanksionuar nga SHBA-ja si “non grata”. A keni ju ndonjë kontakt, ndonjë informacion, ndonjë linjë komunikimi, ndonjë premtim nga administrata e re Trump që kjo gjë mund të rishikohet? Unë di që ka një tentativë për të rishikuar komplet aktin, për të gjithë personat që janë përfshirë brenda këtij akti. A keni bërë ju ndonjë përpjekje ose a keni ndonjë kontakt direkt? Ose a shpresoni se ndonjëherë mund të jetë shpresë e brendshme që administrata e re mund ta rishikojë këtë qëndrim?

Sali Berisha: Së pari, shpresoj plotësisht që administrata e re amerikane do ta shqyrtojë këtë qëndrim.

Blendi Fevziu: Ndaj jush apo në përgjithësi si qëndrim?

Sali Berisha: Unë kam veten time. Së dyti, zhvillimet e furishme të muajit të fundit ku nuk ka sot një parti të qendrës së djathtë në botë që nuk ka votuar kundër arrestimit të Sali Berishës dhe në mbështetje të Partisë Demokratike, opozitës shqiptare dhe arrestimeve politike kundër narkoshtetit në Shqipëri, nuk ekziston. Pra, Sali Berisha ecën drejt fitores me mbështetjen ndërkombëtare më të fuqishme të të gjitha kohërave. Pra janë 3 rezoluta.

Blendi Fevziu: Po, por nuk keni asnjë ambasador t’ju takojë në Shqipëri?

Sali Berisha: Ato rezoluta janë më eprore në qëndrime se çdo individ tjetër.

Blendi Fevziu: Pse i bëtë thirrje shqiptarëve që të votonin Donald Trump në zgjedhjet në Amerikë? Jeni i vetmi, hiq Orbanin, që edhe ai nuk e bëri publike që mbajtët një qëndrim?

Sali Berisha: Nuk e kam bërë kurrë asnjëherë, nuk e kam bërë nisur vetëm nga vetja ime, por unë shihja jo marksizëm-leninizmi, por forma më ekstreme e marksizëm-leninizmit po shndërrohej në politikë zyrtare nëse fitonte Kamala Harris. Sulmi që iu bë familjes. Mijëra familje largoheshin nga Nju Jorku për në Teksas për të shpëtuar fëmijët e tyre nga prindi 1, prindi 2. U jepnin fëmijëve hormone. Komunizmi si doktrinë, është shoqëria pa shtet, e pa kufij, pra globalizmi dhe pa familje, pa të gjitha këto. Këtu në Shqipëri erdhi në parlament ligji i fermave të grave. Tani duhet të krijonin fermat që të lindnin fëmijë si në laboratorë. Ky është shkatërrim i shoqërisë njerëzore, një sulm në identitet që nuk e ka bërë asnjë ideologji deri sot. Kjo zonja del e u thotë që emigrantët ilegalë qeveria do u paguajë ndryshimin e gjinisë. Krim i shëmtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat