Ura e vjetër e Babrroit në Tiranë do të prishet sot me eksploziv, IKMT njofton qytetarët

Shqipëria

Ura e vjetër e Babrroit në Tiranë do të prishet sot me eksploziv, IKMT njofton qytetarët

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 08:39
Ura e vjetër e Babrroit në Tiranë

Në kuadër të realizimit të projektit të Unazës së Madhe në Tiranë dhe ndërtimi i rrugëve kryesore të zonës për zhvillim, njësia administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me grupin e ekspertëve të xhenios ka planifikuar ditën e premte, datë 13 dhetor ora 14:00, demolimin e urës ekzistuese (ura e Babrroit) e cila do të realizohet me shpërthim të kontrolluar.

Gjatë procesit të demolimit, do të ketë masa strikte sigurie dhe do të ndalohen kalimet këmbësorëve dhe mjeteve afër urës për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, njofton IKMT.

Me qëllim realizimin e punimeve të demolimit të urës njoftojmë të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugëve se, për arsye sigurie, do të ndërpritet qarkullimi i këmbësorëve dhe mjeteve në këtë pjesë.

“Gjatë kësaj periudhe, do të ndalohet kalimi në afërsi të urës për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Për çdo qytetar që ka nevojë për kalim në këtë zonë, mund të përdorë rrugët alternative. I gjithë ky proces është i nevojshëm për të siguruar një infrastrukturë të re dhe më të qëndrueshme, duke garantuar sigurinë e lëvizjes në të ardhmen,” shton Inspektoriati.

“Autoritetet lokale dhe shërbimet e sigurisë do të jenë të pranishme në terren për t’u siguruar që të respektohen rregullat dhe për të udhëzuar qytetarët për çdo ndryshim në planin e qarkullimit. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj në këtë periudhë të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës,” tha IKMT.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat