Në përmbyllje të ‘Javës së Integritetit’, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, prezantoi detaje nga platforma ‘Transparent Albania’, një model inovativ për rritjen e transparencës.
Iniciativa ‘Transparent Albania’, u prezantua në forumin “Ndërtimi i Besimit: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së për qeverisje transparente”, organizuar në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Shqipëri/EU4GG.
Në forum morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, ministri i Financave Petrit Malaj dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi etj.
Kjo iniciativë e re e qeverisë Shqiptare ka për qëllim rritjen e transparencës në shpenzimet buxhetore duke i ofruar qytetarëve, organizatave dhe medias akses më lehtë dhe më të shpejtë në informacionet shtetërore.
Në fjalën e saj, ministrja Pirdeni nënvizoi se “Transparent Albania” është një angazhim që buron natyrshëm nga rezultatet e Konferencës së VI-të Kombëtare për të Drejtën e Informimit dhe në përmbushje të masës së Planit të Rritjes së Komisionit Evropian për transparencën e shpenzimeve.
Ministrja Pirdeni e vlerësoi platformën si një pikë kthese për qeverisjen transparente në vendin tonë që promovon llogaridhënien duke garantuar qytetarëve qasje të qartë në informacion mbi veprimtarinë e qeverisë.
“Transparent Albania është një portë unike që do të mundësojë aksesin më të lehtë dhe më të shpejtë në një kategori të gjerë informacioni zyrtar dhe kontakti të drejtpërdrejtë me burimin e informacionit zyrtar, autoritetet publike. Natyrisht, sikurse premtuam, transparenca buxhetore do të jetë kryefjala e kësaj platforme kryesore. Buxheti i planifikuar dhe ai faktik i shpenzuar do të jetë lehtësisht i lexueshëm për qytetarët dhe bizneset, përmes një pasqyre vizive grafike mbi bazën e të dhënave të rakorduara periodikisht me Ministrinë e Financave dhe posaçërisht me thesarin. Informacioni do të jetë i disegreguar në financim të brendshëm dhe të huaj, si dhe më pas një pasqyrë e veçantë i dedikohet financimit për projektet në çdo sektor, përfshirë dhe përqindjen e realizimit. Të dhënat në faqen demo që kemi paraqitur janë indikative, por me vënien në funksionim tërësor të faqes, çdo qytetar ose qytetare do të mund të shkarkojë informacionin e kërkuar në një format të thjeshtë dhe të kuptueshëm, dhe natyrisht të gjitha këto të dhëna reflektohen njëherësh tek faqja e Ministrisë së Financave,” tha ministrja Pirdeni.
Ministrja Pirdeni tha se në “Transparent Albania”, qytetarët do mësojnë në kohë reale në një gjuhë pa shumë burokraci dhe teknike se si dhe ku po shpenzohen paratë e tyre.
“Platforma synon të jetë një mjet i vlefshëm në shërbim të çdo qytetari ose qytetarje të angazhuar,që kërkon të dijënë moment dhe me saktësi, pa shumë burokraci dhe gjuhë teknike, se ku shkojnë paratë e tij, se si bëhen politikat në emër të tij dhe se si institucioni publik angazhohet për të tashmen dhe për të ardhmen e përbashkët. Me Transparent Albania, synojmë që të gjithë të kenë, në kuptimin më të parë të fjalës, shtetin të aksesueshëm në telefon,”tha Pirdeni.
“Transparent Albania” është një platformë që synon të përmirësojë ndjeshëm transparencën buxhetore dhe zbatimin efektiv të ligjit për të drejtën e informimit. Platforma do t’i ofrojë qytetarëve akses në të dhëna në kohë reale mbi buxhetin dhe shpenzimet buxhetore; Informacion financiar për projektet e financuara nga buxheti i shtetit dhe ai i huaj; Detaje të konsultimeve publike, programet e transparencës së ministrive, kontaktet e koordinatorëve për të drejtën e informimit për secilën ministri etj.
Platforma “Transparent Albania” është pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare për transparencë proaktive dhe gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me të gjithë aktorët institucionalë.
Kjo platformë pritet të transformojë mënyrën si qytetarët ndërveprojnë me institucionet publike, duke ndërtuar besim dhe reflektuar përkushtimin e qeverisë shqiptare për të avancuar drejt standardeve më të larta të qeverisjes së hapur, në përputhje me vizionin e Shqipërisë si anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.