“Do më shkarkojnë se nuk gjej të afërm jashtë për vota”, Berisha lexon mesazhin: Armando Subashi të heq nga puna nëse nuk jep emrat

Shqipëria

“Do më shkarkojnë se nuk gjej të afërm jashtë për vota”, Berisha lexon mesazhin: Armando Subashi të heq nga puna nëse nuk jep emrat

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 14:07
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar gjatë konferencës së sotme me gazetarët, se qeveria e drejtuar nga Edi Rama po mobilizon të gjithë potencialin e shtetit për të krijuar një “trupë kriminale elektorale”, duke shndërruar punonjësit e administratës shtetërore dhe të ambasadave në pjesë të një skeme të paligjshme zgjedhore.

Në një deklaratë para gazetarëve Berisha thekson se zhvillimet e fundit dëshmojnë se “narkoshteti” po përdor çdo mundësi për të shndërruar administratën dhe institucionet shtetërore në mjet të manipulimit zgjedhor, duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën.

Sipas Berishës, një nga format e abuzimit është përfshirja e punonjësve civilë të qeverive vendore, të arsimit dhe madje edhe të ambasadave të Shqipërisë jashtë vendit, të cilët po detyrohen të bëhen pjesë e “kriminalizimit të procesit zgjedhor.”

Berisha ka publikuar edhe një mesazh të supozuar të një punonjësje në Fier, e cila është e shqetësuar për mundësinë e largimit nga puna për shkak të mungesës së informacionit mbi të afërmit që jetojnë jashtë shtetit për t’u përfshirë në procesin e votimit.

“Një seri zhvillimesh të reja dëshmojnë se narkoshteti po mobilizon të gjithë potencialet e tji për t’u shndërruar në trupin kriminal elektoral më të rrezikshëm të kohërave.

Punonjësit civilë të qeverive vendore, të arsimit, punonjësit e ambasadave të Shqipërisë në botë, po shndërrohen në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, në kriminelë të vërtetë elektorale.

Unë këtu dua të lexoj vetëm një mesazh që dëshmon fytyrën kriminale të hajdutit Subash të Fierit.
-Jam e mërzitur dhe e lodhur, thotë punonjësja.
-Pse, çfarë ke?
-Do më heqin nga puna.
-Pse?
-Ngaqë nuk gjej të afër që jetojnë jashtë shtetit për votimet. -Për gjëra koti që iu tek kryetarit të bashkisë Fier.
-Mjerë ju çfarë u ka gjetur. Hidheni në gjyq?
-E fiton ai gjyqin se e njeh ligjin.
-Po të hoqën për këto motive, fiton ti, jo ai. Janë mësuar këta që njerëzit që nuk i duan, i heqin nga puna.
Pra, arrin gjer në shkallë cinizmi i narkoshtetit sa që të heq nga puna nëse nuk ke në rrethin tënd familjarë që të japin emrat e tyre”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat