Një nga çështjet e trajtuara në “Opinion” në News24 ishte vlerësimi që iu bë kreut të SPAK, Altin Dumani, nga SHBA, duke i akorduar çmimin “kampion i luftës ndaj korrupsionit”.
Analisti Ergys Mërtiri tha se SPAK ka bërë mrekullinë që askush nuk e mendonte vite më parë.
Mërtiri tha se kjo është arsyeja që SHBA i dhanë edhe dekoratën Altin Dumanit, ndërsa theksoi se njëherazi ky vlerësim vjen në kushtet kur kemi akuza të shumta ndaj SPAK nga politika dhe përpjekje të mazhorancës për të penguar SPAK.
“Kemi një lëvizje të SHBA për të dhënë një mesazh, si një përpjekje të amerikanëve për të mbrojtur SPAK, në një kohë kur nga mazhoranca është ngritur Komisioni Xhafaj pikërisht për të penguar apo zhvlerësuar Prokurorinë Speciale dhe mos harroni se Qeveria i uli buxhetin me 1 mln euro”, tha Mërtiri
Ndërsa Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë tha se vlerëson arritjet e drejtësisë, sikundër sheh me sy kritikë mosarritjet. Gjithashtu Qori tha se çmimi që iu dha Altin Dumanit nga DASH si “kampion i luftë kundër korrupsionit” është një vlerësim, që tregon mbështetjen e administratës Biden, por shtoi se duhet të presim se çfarë do të ndodhë me administratën amerikane të Presidentit Trump.
Qori tha se nuk ka bërë denoncime në SPAK sikundër shumë parti të tjera. “Nuk mendoj se është detyrë e partive politike, gjithësesi habitem se ku i gjejnë këto dokumentet sekrete këta që bëjnë denoncime. Ndoshta ne nuk i gjejmë sepse nuk kemi lidhje me politikën e vjetër”, tha Qori.