Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për pushim të hetimeve ndaj Arben Spahiut dhe Arsen Preçit. Këta persona u arrestuan vitin e kaluar si të dyshuar nga prokuroria e Elbasanit për sigurim kushtesh për të kryer vrasje, e armëmbajtje pa leje e falsifikim dokumentesh, për rastin e gjetjes te ish-fabrika e konservimit në lagje Emin Matraxhiu me 18 shkurt të 2023.
GJKKO ka caktuar sot për Arben Spahiun dhe Arsen Preçin shuarjen e masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” të caktuar me vendimin Nr. 329 datë 06.08.2023 të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kujtojmë se në gusht të vitit të kaluar GJJKO liroi nga burgu Preçin dhe Spahiun duke i caktuar atyre masën “detyrim paraqitje”. Ndërsa sot pushoi çështjen e hetimit ndaj tyre dhe hoqi masën detyrim paraqitje.
Spahiu dhe Preçi u arrestuan një vit më parë pasi në një automjet tip “BMW” u gjetën armë me të cilat dyshohet se do të kryhenin atentat ndaj Elton Kilës, i njohur ndryshe si Oti i Elbasanit.
NJOFTIMI
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 05.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pushimin e hetimeve”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Kujtim Vraniçi, bazuar në nenet 328/1/dh dhe 329/a/1 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 64, datë 13.12.2024,
vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2. Pushimin e hetimeve në ngarkim të shtetasve nën hetim në kuadër të procedimit penal Nr. 75/3 të viti 2023 për veprat penale të atribuara si më poshtë;
a- Arben Spahiu i dyshuar për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve , armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga
nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a, 334 dhe 186 dhe K.Penal.
b- Arsen Preçi i dyshuar për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga
nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a, 334 dhe 186 dhe K.Penal.
3. Shuarjen e masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” të caktuar me vendimin Nr. 329 datë 06.08.2023 të Gjykatës së Posaçme e Shkallës
së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar .
4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.