Shumë shpejt Policia e Shtetit do të publikojë emrat e personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në Dobraç, ku humbën jetën 4 persona, dy prej të cilëve, nuk kishin lidhje me atentatin që u bë ndaj një automjeti ku ndodheshin Arlind Bushati dhe Hamza Lici, por edhe një person i tretë që dyshohet se ishte Ibrahim Lici.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se lidhur me këtë ngjarje policia do të bëjë deklarata me emra konkretë.
“Besoj se duhet të presim deklaratat e Policisë së Shtetit, që do t’i bëjnë të ditura shumë shpejt. Unë besoj se shumë shpejt Policia e Shtetit do të publikojë deklarata konkrete për sa i përket emrave të përfshirë në ngjarjet në Dobraç”, tha Hoxha.
Ai tha se kohët e fundit kemi pasur disa raste dhe ngjarje kriminale me pasoja të rënda, përfshirë humbje jete. Hoxha tha se policia, në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe SPAK, është duke hetuar të gjitha këto raste dhe ngjarje kriminale që kanë qenë shqetësuese për opinionin publik.
“Besoj se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete.
Gjithashtu, janë zhvilluar kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë ato në Shkodër”, tha Hoxha.
Deklaratat ministri i Brendshëm i bëri nga Korça, ku takoi prefektët e 12 qarqeve.
“Kemi biseduar dhe analizuar situatën për sa i përket masave të emergjencave që duhet të merren dhe veprimeve që duhet të koordinohen veprimet midis policisë, prefekturës dhe strukturave të tjera shtetërore.
Ndër të tjera, çështja për të cilën unë kam vënë një rëndësi shumë të madhe dhe thelbësore është zbatimi i paketës së sigurisë në shkolla. Sot, në qarkun Fier, kemi pasur një ngjarje e cila, për fat të mirë, nga ana e policisë është arritur të identifikohet dhe të zbardhet në një kohë të shpejtë.
Siç edhe ju e dini, kryeministri është tashmë në një konsultim publik për sa i përket çështjes dhe paketës së sigurisë në shkolla. Shumë shpejt, qeveria shqiptare do të aplikojë sistemin “Smart City”, i cili do të rrisë sigurinë në mjediset shkollore dhe ambientet përreth tyre.
Roli i policisë dhe roli i stafit pedagogjik për të pasur një ambient sa më të sigurt është shumë i rëndësishëm. Modeli që ndjekin nxënësit e shkollave është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye, bashkëpunimi mes familjes, shkollës dhe edukimit që ne i ofrojmë fëmijëve tanë mbetet një çështje që na shqetëson çdo ditë.
Për procesin e zgjedhjes te drejtuesve te komisariateve, kemi pasur 288 aplikantë. Nga këta, 288 kanë fituar të drejtën për të qenë dhe për t’u emëruar si shefa komisariati 100 prej tyre. Procesi po vazhdon dhe shumë shpejt do të kemi 48 oficerë policie të cilët do të drejtojnë komisariatet në të gjithë policinë e shtetit. Nuk është bërë një renditje që kategorizon 48 të parët; renditja është sipas rendit alfabetik dhe pikëve. Mënyra e përzgjedhjes së procesit do të jetë e ngjashme me atë të drejtorëve të qarqeve. Shumë shpejt, shefat e komisariateve do të jenë në detyrë”, tha ai.