Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, tha se me ardhjen e kësaj force politike në pushtet, primare do të jetë vendosja e minimumit jetik, rritja e rrogave dhe pensioneve.
Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD, Berisha tha se ata që paguhen me pak, do ta kenë më të ulët çmimin e dritave dhe ujit.
“Vendosja e minimumit jetik 200 euro. Rroga minimale 500, rroga mesatare 1200 euro. Jo vetëm kaq, nuk mundet shteti t’i shesë energjinë tjetrit si atij me 500 euro dhe atij me 7 mijë euro rrogën. Kurrë, kjo nuk do të ndodhë. Çmimet e energjisë, ujit të pijshëm dhe disa shërbime do të proporcionohen rreptësisht sipas rrogave dhe të ardhurave.
E gjithë beteja jonë vitin e parë të qeverisjes do të jetë të shtrojë bazën e një starti të fuqishëm për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat dhe pensionet. Ne ishim më mirë se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”-u shpreh ndër të tjera Berisha.