Kreu demokrat, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, e konsideroi si kriminale skemën e aplikuar nga Qeveria për ndarjen e rrugëve që ndërtohen në lote.
Duke bërë një krahasim mes qeverisjes së tij dhe asaj që kryesohet nga Edi Rama, Berisha tha se Rruga e Kombit, nga Rrësheni në Kalimash, kishte një kontratë, ndërsa këta 13 km i ndajnë në 14 lote.
“Mor zotëri, por ne e prokuronim rrugën Hani i Hotit-Shkodër. Nuk na shkonte mendja që ta prokuronim rrugën Shkodër-Shtoj, Shtoj-Dobrac, Dobrac deri në gjysmë drejt Koplikut, e me radhë e me radhë.
Nuk dëgjoni gjë në televizor, vetëm lote. Hyrja, hyrje. Edi Rama, kur ishte kryetar bashkie për çdo hyrje merrte ryshfetin dhe jepte lejen. Këta kanë futur një mekanizëm të turpshëm kriminal.
Po si mund të ndash ti, 13 kilometra në 14 kontrata?
Ja ku ishte Rruga e Kombit nga Rrësheni në Kalimash, një kontratë. Rruga Tiranë-Elbasan, nga Farka në Bradashesh, një kontratë. Nga Orikumi në Sarandë, një kontratë.
Nga kthesa e Levanit në Memaliaj, një kontratë.
Këta kanë nxjerrë një mënyrë, këtyre u shkon loti sa e gjithë rruga.
Prandaj, duhet t’ua shpjegoni qytetarëve këto. Është çështje parash kjo. Ne, edhe do të ndërtojmë më shumë, po edhe sikur të mos ndërtonim, ne do rrisim rrogat. Por fjala fjalë, do ndërtojmë më shumë.
Mirëpo, kur vjen puna te përparësia, përparësi absolute do të jetë qytetari. Po na përpin kjo varfëri. Mezi dolëm. Ishte ‘quantum leap’ ajo që arritëm në 2008. Që kaluam nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Dhe ky, i ngriu rrogat, i ngriu pensionet. Na rrokullisi në fund. Dolëm 20-30% nën Kosovën.
Pra, programi ynë do të jetë, programi që do të ketë direkt qytetarin, rrogën, pensionin, shërbimet ndaj tij”, tha Berisha.