Vuri tritolin në lokal, Selamaj s’pranon rrëfimin e emrave që e paguan për krimin

Shqipëria

Vuri tritolin në lokal, Selamaj s’pranon rrëfimin e emrave që e paguan për krimin

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 11:31
Selamaj, njihet nga policia e Vlorës si person me tendencë vjedhjen, madje është dënuar për këtë vepër penale.

Beqir Selamaj alias Murati, nuk ka pranuar të tregojë asgjë rreth emrave të personave që e kanë paguar për vendosjen e tritolit në lokalin “The Boss” në Vlorë.

Selamaj, njihet nga policia e Vlorës si person me tendencë vjedhjen, madje është dënuar për këtë vepër penale.

Gjatë këtyre dy ditëve që po qëndron në ambjentet e policisë së Vlorës, 28-vjeçari është marë gjatë në pyetje, ku në intervistimin e tij ka marë pjesë dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Drejtori i Policisë së Vlorës dhe prokurori i çështjes.

Selamaj, ka pranuar se ai është autori i vendosjes së tritolit, por nuk ka pranuar të tregojë emrat e individëve që e kanë urdhëruar për të hedhur në erë lokalin në pronësi të nënës së Bledar Birçaj, ky i fundit i vrarë në vitin 2021 në Vlorë.

“Ora News” ka mësuar se me shpresën se Selamaj do flasë dhe për ti garantuar atij besueshmëri dhe mbrojtje, në Vlorë mbëriti me shumë urgjencë dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me qëllimin komunikimin direkt me të arrestuarin.

Por edhe shfaqja e zyrtarit të lartë të policisë nuk ka dhënë rezultat, pasi 28-vjeçari ka refuzuar të flasë për emrat e personave që e kanë urdhëruar dhe paguar me qëllim vendosjen e tritolit.

Sipas dosjes së prokurorisë së Vlorës, e cila tashmë për Selamaj ka kërkuar në gjykatë masën e sigurisë “arrest në burg”, rezulton se autori i krimit është zbuluar përmes një zinxhiri kamerash në qytetin e Vlorës.

Policia ka analizuar me përpikmëri kamerat e sigurisë, ku Beqir Selamaj është arritur të kapet nga pamjet filmike qysh në momentin kur ka dalë me biçikletë nga shtëpia e tij në Vlorë.

Ai ka qënë i veshur me rroba të zeza. Pasi ka vendosur sasinë e tritolit është larguar sërisht me biçikletë, duke u zhvendosur në një zonë tjetër të Vlorës.

Gjatë rrugës ka hequr rrobat dhe më pas sërisht me biçikletë ka shkuar në një lokal ku ka pirë kafe.

Ngjarja në Vlorë, është rregjistruar në 8 dhjetor 2022 në orën 05:50 të mëngjesit, duke sjellë vetëm dëme materiale.

Lokali, që funksiononte si bar, restorant e piceri, në Lungomare ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen “Hajro Çakërri”.

Lokali “The Boss”, rezulton në pronësi të nënës së Bledar Birçajt, Resmie Birçaj. Më herët ishte dhënë me qira, por ishte rimarrë në administrim së fundmi nga pronarët, vëllezërit e viktimës së eliminuar 3 vjet më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat