“Dumani, kampion i anti-korrupsionit”, Baçi: SPAK po u prish rehatinë të paprekshmëve/ Shabani: Shqiptarët të mbështesin me votë

Shqipëria

“Dumani, kampion i anti-korrupsionit”, Baçi: SPAK po u prish rehatinë të paprekshmëve/ Shabani: Shqiptarët të mbështesin me votë

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 17:09
Foto nga vendi i ngjarjes

Analisti Agim Baçi duke folur në “Opinion” në News24 lidhur me çmimin “kampion i luftës anti-korrupsion” për kreun e SPAK, Altin Dumani, tha se është një vlerësim që i bëhet të gjithë strukturës.

Baçi tha se SPAK po prish rehatinë e atyre që mendonin se ishin të paprekshëm, ndaj edhe kemi sulme nga të dy palët kundër Prokurorisë Speciale.

“Edi Rama deklaron se mbështet SPAK, por realisht kemi një rënie të instititucioneve shtetërore që të furnizojnë Prokurorinë me dokumente. Duhet ta dimë që Dumani nuk është një kauboj, por janë institucionet që duhet të bashkëpunojnë. Vetë prokurori ka deklaruar se ka një rënie të denoncimeve nga institucionet”, tha Baçi.

Ndërsa Endri Shabani nga Nisma Thurje tha se ajo që Altin Dumani po bën ka një kosto personale për të, por publikut po i bën një të mirë të madhe. “Dumani po bën një luftë të jashtëzakonshme, e mbështesin amerikanët, britanikët, BE, por duhet ta mbështesin edhe shqiptarët me votë. Sepse Altin Dumani nuk bën ligje, zbaton ligjet që miratojnë këta të tjerët që po i heton SPAK. Çfarë mund të bëjë Dumani nesër nëse këta që janë në Parlament bëjnë ndryshime në Kodin Penal, i heq dy tre nene që ai po përdor për të ndjekur penalisht të korruptuarit? Votuesit shqiptarë duhet të bëjnë me votën e tyre atë që Dumani po bën në drejtësi”, tha Shabani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat