Deputetja demokrate, Ina Zhupa, tregon se ka shkuar në burgun e Fierit për të takuar nga afër ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili është burgosur nën akuzën për “kallëzim të rremë”.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24 demokratja tha se ka shkuar ta takojë në burg Salianjin, por ka preferuar që mos t’i bëjë publike takimet me të.
Sakaq ajo tha se ish-deputeti qëndron i motivuar në burg dhe se ai po bën opozitë edhe pas hekurave të qelisë.
Ina Zhupa: E kam takuar në burgun e Fierit. Salinajni është atje në mënyrën më të padrejtë të mundshme, ai ndodhet atje se ka bërë një denoncim publik. Është i motivuar… Ai bën opozitë edhe nga qelitë e burgut dhe do dali edhe më i i fortë nga atje.
Prej 26 shtatorit të këtij viti, Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit.
Ai u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Ndërkohë më 26 shtator, Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndërsa ky i fundit e quajti procesin të montuar dhe veten si të dënuar politik