Bllokohet faqja në FB e Artan Fugës, akademiku: Zëri im në rrjet po censurohet përfundimisht!

Shqipëria

Bllokohet faqja në FB e Artan Fugës, akademiku: Zëri im në rrjet po censurohet përfundimisht!

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 06:42
Artan Fuga

Prej më shumë se 24 orësh, faqja në rrjetin social Facebook e akademikut Artan Fuga është bllokuar.

Me anë të një komunikate për mediat, ai bën me dije se janë bërë një sërë denoncimesh se llogaria nuk kontrollohej nga ai, por nga dikush tjetër dhe kjo ka qenë dhe arsyeja që kompania “META” e ka bllokuar.

Artan Fuga deklaron se kaq qesharake është shpifja mbi të cilën është operuar bllokimi sa do të ishte një rast shembullor për një skeç estrade, nëse nuk do të ishte me pasoja censure nga forca të errëta.

Akademiku shprehet se faqja rrezikon të mbyllet dhe shton se nëse kjo gjë do të ndodhë, ai nuk do të komunikojë më me anë të Facebook-ut, pasi nuk ka ndërmend që të mbajë një llogari tjetër.

“Pranoj se gjithçka ka një fund. Zëri im në rrjetet sociale censurohet përfundimisht!” – shkruan Artan Fuga.

Reagimi i plotë i akademikut Artan Fuga:

“Komunikatë për mediat dhe publikun

Vazhdon prej 24 orësh e bllokuar llogaria Artan Fuga në Facebook.

Sipas njoftimit që më ka bërë META kjo vjen pas një sërë “denoncimesh” nga faqe të tjera se ajo llogari nuk paska qenë timja por pas emrit tim fshihej dikush tjetër, ose një kompani e panjohur.

Kaq qesharake është shpifja mbi të cilën është operuar bllokimi sa do të ishte një rast shembullor për një skeç estrade, nëse nuk do të ishte me pasoja censure nga forca të errëta!

Kuptohet se çfarë absurditeti përbën kjo për ata dhjetëra gazetarë që komunikojnë me mua nëpërmjet kësaj faqeje, për ata mijëra qytetarë që e bëjnë këtë gjithashtu, për ata qindra mijëra vizitorë që kalojnë nga kjo faqe çdo muaj.

Unë i kam bërë të gjitha përçapjet pranë META sado i fyer dhe i censuruar që ndihem jo vetëm nga forcat e errësirës që kanë ndërmarrë këtë sulm, por edhe nga politika që në fillim bllokojnë pastaj verifikojnë.

Faqja rrezikon të mbyllet. Pas kësaj, nëse ndodh kjo për çështje orësh, unë nuk kam ndërmend as të vazhdoj më komunikimin nëpërmjet Facebook, as të mbaj një llogari tjetër.

Pranoj se gjithçka ka një fund. Zëri im në rrjetet sociale censurohet përfundimisht!

Gjithsesi mund të ketë nevojë për një sforco të fundit. Kushdo që është i bindur se ajo faqe është vetëm e Artan Fuga, dhe mendon se ja vlen, le t’i drejtohet kompanisë Meta me këtë dëshmi.

Shpifjeve mund t’u kundërvihen vetëm reagimet e ndershme.

Gjithsesi kultura që në fillim ndëshkon pastaj verifikon, heton, etj. është e trishtë.

Më vjen keq që komunikimi mes nesh ndodhet në fije të perit dhe jo rastësisht”, shkruan akademiku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat