Anëtarja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jola Hysaj, ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për Primaret e PD në Qarkun Durrës. Në një postim në Facebook, Hysaj bëri thirrje për mbështetje nga demokratët e Durrësit, Shijakut, Krujës dhe Fushë-Krujës, duke theksuar angazhimin e saj afatgjatë në parti dhe vizionin për një politikë të ndershme.
“Prej gati 20 vitesh jam rritur dhe formuar në këtë parti, duke ndarë me ju sfidat dhe betejat për një Shqipëri më të drejtë,” shkruan Hysaj, duke kujtuar rrugëtimin e saj nga një anëtare e thjeshtë, te pozicionet drejtuese brenda PD-së.
Ajo vuri theksin te nevoja për një politikë që vendos qytetarin në qendër dhe premtoi të jetë një zë i vërtetë për ta në Parlament.
“Dua një Shqipëri ku të mos detyrohesh të largohesh për të siguruar një të ardhme më të mirë. Dua një Durrës që nuk shitet, por zhvillohet me dinjitet,” shtoi ajo.