Blushi takim me diasporën në Athinë: 10 vite përjashtim nga tatimfitimi dhe taksat lokale për këdo që kthehet të investojë në Shqipëri

Shqipëria

Blushi takim me diasporën në Athinë: 10 vite përjashtim nga tatimfitimi dhe taksat lokale për këdo që kthehet të investojë në Shqipëri

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 20:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjatë vizitës në Athinë me strukturat e PL, sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, ka prezantuar programin me 5 prioritete me 5 shtylla të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Blushi tha se qëllimi i këtij programi është së pari ndalimi i  shpopullimit dhe për këtë PL synon pagesa direkte dhe me mbështetje konkrete të cifteve të reja, të cilat sot e kanë të pamundur të blejnë një apartament në Tiranë.

“Ne vijmë para jush me një program konkret, plotësisht të realizueshëm, të certefikuar dhe plotësisht të financueshëm, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus.

Një program i cili jo vetëm i jep fund dramës së madhe të shpopullimit, por edhe e shndërron Shqipërinë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon”, tha Blushi.

Sipas tij, fondi për realizimin e këtij programi nuk është i vështirë të gjendet pasi janë rreth 3 miliardë  euro në vit që vidhen nga Edi Rama dhe që përfundojnë në xhepat e tij, të Ministrave dhe të drejtorëve hajdutë të “Rilindjes”.

Në 4 vjet janë rreth 12 miliardë euro, plotësisht të mjaftueshme për të ndryshuar të ardhmen e Shqipërisë, të ardhmen e familjarëve tuaj që jetojnë në Atdheun tonë të përbashkët.

Ne ofrojmë shtëpi sipas modelit hungarez, një model i cili ka rezultuar i suksesshëm dhe një mbështetje konkrete për ciftet dhe për familjet e reja.

Ne angazhohemi të paguajmë pagat për nënat  deri në 2 vite pas lindjes në masën 100%.

Ne angazhohemi të japim kredi për ciftet e reja, duke ofruar zbritje të kredisë për ta, 3 mijë euro për fëmijën e parë, 6 mijë euro për fëmijën e dytë, 10 mijë euro për fëmijën e tretë e kështu në mënyrë progressive.

Si dhe do të japim 20 mijë euro grand për cdo të ri deri në 29 vjec, i cili ka ambicie dhe synon të hapi një biznes ose start-up”. Sekretari i Përgjithshëm i PL, tha se shtylla e dytë e programit është dyfishimi i pagave dhe pensioneve.

“Sot me këtë nivel pagash dhe pensionesh, më shumë se ngjysma e popullsisë në vendin tonë, në Atdheun tonë jetojnë në varfëri absolute dhe mjafton t’ju sjell një shembull që u bë publik së fundmi nga ish – krahu i djathtë i Edi Ramës, Arben Ahmetaj, vetëm një shishe verë që Edi Rama konsumon në ditë është e barabartë me 14 vite pension minimal, vetëm një shishe verë, pa llogaritur aferrat e tjera të cmendura sikundër është afera e inceneratorit apo inceneratorëve që nuk ekzistojnë, 500 milionë euro.

Sikundër janë aferrat e PPP- ve, koncensioneve, tenderave sekretë, rrugët e florinjta.

E dëgjuat besoj Arben Ahmetajn, 50 milionë euro bakshishi vetëm për tunelin e Llogarasë, kur ndërkohë kjo Qeveri jep 44 milionë euro vetëm për fermerin shqiptar dhe gllabëron vetëm me një aferrë 50 milionë euro.

Ndaj ne angazhohemi për të dyfishuar  pagat dhe pensionet si dhe për të garantuar me ligj pagën e 13- të për cdo punonjës të administratës, si dhe pension të garantuar me ligj, të 13- të për cdo pensionist, në mënyrë që të mos kemi më pensione mizerabël në vlerën 170 euro, pensione të cilat nuk dalin as për të shtyrë javën me ushqim dhe jo më për të paguar faturat e kripura të energjisë elektrike apo të ujit të pijshëm”, u shpreh Blushi.

Investimi në Arsim, mbështetja konkrete me pagesa direkte e bujqësisë dhe e fermerit shqiptar, rritja e fuqisë eksportuese, ishin disa pika të tjera të programit të PL që u prezantuan në takimin me simpatizantë të kësaj force politike në Athinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat