Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë hetimet për vënien para përgjegjësisë të personave që lejuan futjen në treg të një sasie të konsiderueshme mandarinash me pesticide, të kthyera në muajin dhejtor nga Kroacia.
“Prokuroria e Beratit tani po heton pasi dyshohet se ato mandarina, tregtari i ka rifutur në dyqanet tona dhe se janë konsumuar nga ne qytetarët.
Kjo nuk është historia e 3 ose 4 keqbërësve që për ca miliona më shumë shkelin ligjin dhe janë gati të vënë në rrezik shëndetin dhe jetën tonë.
Kjo është historia e përsëritur e një krimi shtetëror që ka për autor AKU-në, Ministrinë e Bujqësisë dhe strukturat e tjera përgjegjëse.
Qytetarët paguajnë taksa dhe mbajnë Agjencinë Kombëtare të Ushqimit dhe zyra të tjera për t’i mbrojtur”, tha në një deklaratë për mediat anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari.
PD thotë se qeveria ka dështuar të ofrojë siguri ushqimore.
“ Edi Rama e sheh AKU si një drejtori për të shpërblyer patronazhistët e tij në drejtësi, siç ishte dhe emërimi i fundit.
Siguria ushqimore është po aq e rëndësishme sa siguria kombëtare.
Ndaj, duhet që SPAK të angazhohet seriozisht në këtë drejtim. Askush nuk beson se Prokuroria e Beratit do të shkojë tek përgjegjësit e vërtetë që janë drejtori i AKU dhe Ministrja e Bujqësisë. Ata duhet të kujdesen që tek mbjellja e produkteve e deri tek dalja e tyre në treg, sa i përket sigurisë”, thuhet në deklaratën e PD.
Partia Demokratike thotë se ka angazhuar ekspertë e njohës të fushës të cilët përmes një platforme do ti japin zgjidhje këtij problemi.