Revolta në ditën e 67! “Nesër më shumë”, mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin

Shqipëria

Revolta në ditën e 67! “Nesër më shumë”, mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin

Më: 5 gusht 2026 Në ora: 08:17 Përditësuar në ora: 21:32 më 05.08.2026
Protesta

Revolta në ditën e 67! “Nesër më shumë”, mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin

Kanë përfunduar fjalimet e mbajtura para godinës së Kryeministrisë në protestën e 67-të kundër qeverisë.

Menjëherë pas mbylljes së adresimeve, protestuesit kanë nisur marshimin, duke vijuar protestën në rrugët e kryeqytetit.

Në përfundim të tubimit, aktivisti Edison Lika u dha një mesazh të pranishmëve me fjalët:

“Nesër më shumë”, duke paralajmëruar vazhdimin e protestës nesër edhe në ditët në vijim.

Qytetarët vijojnë rezistencën prej 67 ditësh, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, protestat do të vazhdojnë derisa kjo kërkesë të realizohet.

“Pedagogë që i shërbejnë pushtetit!”/ Aktivistja thirrje studentëve nga protesta: Bashkohuni, të ndërtojmë Shqipërinë që duam

Një aktiviste iu drejtua studentëve gjatë protestës para Kryeministrisë, duke i ftuar t’i bashkohen protestës dhe të angazhohen për, sipas saj, një të ardhme më të mirë për brezat e rinj.

Ajo kritikoi kushtet në universitetet shqiptare, bursat studentore dhe mënyrën e funksionimit të sistemit të arsimit të lartë.

“Ky fjalim është për studentët. Bashkohuni, që të krijojmë një të ardhme më të mirë për ju dhe brezat që do të vijnë. Studentët nuk pranojnë të marrin 100 mijë lekë bursë, të qëndrojnë në konvikte skandaloze dhe të udhëhiqen nga pedagogë që i shërbejnë pushtetit dhe jo dijes së vërtetë”, u shpreh aktivistja.

Ajo u bëri thirrje të rinjve të angazhohen në jetën publike, duke e cilësuar dijen si forcën më të madhe për ndryshim.

“Sot jeni përballë forcës më të madhe, forcës së dijes. Duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë. Çfarë kanë bërë këta? Vetëm shkatërrim”, tha ajo.

Në përfundim, aktivistja u bëri apel qytetarëve të mbështesin studentët.

“I bëj thirrje qytetarëve: bashkohuni me studentët. Së bashku me rininë do ta bëjmë Shqipërinë që duam”, përfundoi ajo.

“Është kryeministër i bandave, jo i joni!”- Aktivisti: SPAK të arrestojë Ramën dhe Ballukun! Kontratën nuk e ka me 800 mijë votues, por me të gjithë shqiptarët!

Një aktivist në protestën kundër qeverisë ka bërë thirrje ndaj Prokurorisë së Posaçme që të vijojë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa ka kërkuar arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish.zv.kryeministres Belinda Balluku.

“I kujtoj SPAK-ut që nuk duhet të kënaqet me çfarë ka bërë. I kujtojmë se ajo që ka bërë nuk është e mjaftueshme dhe i kujtojmë SPAK-ut se, nëse nuk arreston Belinën dhe Ramën, për ne nuk ka bërë asgjë, sepse ata janë koka e krimit. Arrestoni Ramën”, deklaroi aktivisti.

Më tej, ai komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për “kontratën me 800 mijë votues”, duke thënë se përgjegjësia e një kryeministri është ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo vetëm ndaj atyre që e kanë votuar.

Ndër të tjera, ai tha se Rama nuk është kryeministër i shqiptarëve, por i bandave kriminale.

Aktivisti: Ajo pikë që e derdhi gotën ishte projekti i Zvërnecit dhe t’ju kujtojmë edhe njëherë, anuloni Ligjin nr. 21/2024. Përveçse i kërkojmë qeverisë ta anulojë ligjin, që akoma nuk e ka anuluar, kërkoj t’i japim një mbështetje Prokurorisë së Posaçme për të gjithë ministrat që ka arrestuar. E di që nuk është e mjaftueshme ajo që kanë bërë, por është shumë më tepër nga çfarë ka bërë kjo prokurori në krahasim me atë që kishte ndodhur më parë, kur nuk kishim asnjë zyrtar të lartë të arrestuar.

Por i kujtoj SPAK-ut që nuk duhet të kënaqet me çfarë ka bërë. I kujtojmë se ajo që ka bërë nuk është e mjaftueshme dhe i kujtojmë SPAK-ut se, nëse nuk arreston Belinën dhe Ramën, për ne nuk ka bërë asgjë, sepse ata janë koka e krimit. Arrestoni Ramën!

Ka shumë arsye për të cilat është thënë çdo ditë që Rama nuk është më kryeministri ynë. Dy ditë më herët, në mbyllje të tubimit, u përmend edhe një fakt që është ulëritës. Edi Rama, jo njëherë, por disa herë, ka thënë se nuk largohet nga posti i kryeministrit sepse ka marrëveshje me 800 mijë qytetarë.

Kjo është shumë flagrante, sepse Edi Rama, jo njëherë, por disa herë, me zë dhe figurë, ka shkelur betimin që ka bërë te Presidenti. Është e vërtetë që i ka fituar zgjedhjet dhe 800 mijë vota, por ai nuk e ka kontratën me 800 mijë votues, ai e ka kontratën me të gjithë shqiptarët, kudo që janë, sepse kështu e përcakton Kushtetuta. Por, në fakt, kjo nuk është lajthitje e Ramës.

Ai, pa dashje, ka thënë një të vërtetë të madhe që nuk duhej ta thoshte me gojën e tij. Ai na ka thënë se është kryeministër për t’u shërbyer oligarkëve, patronazhistëve, është kryeministër i bandave të Durrësit, Elbasanit, Fierit dhe Shkodrës, të cilat kanë mbledhur me mijëra vota për të. Tashmë e dimë pse, sepse përgjimet janë publike dhe ka persona që kanë dëshmuar për këtë.

“Po shkatërroni meritokracinë në Polici!”- Krenar Ahmeti: Ndryshimet në ligj katapultojnë persona që zbatojnë urdhra politikë, jo ligjin! Në shtator do ta marrim situatën në dorë

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti, ka kritikuar ndryshimet e fundit në ligjin për Policinë e Shtetit, duke deklaruar se ato dëmtojnë meritokracinë dhe strukturën e institucionit.

Siç tha ai, në seancën e fundit, janë miratuar disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, ku i kanë dhënë kompetenca drejtorit të përgjithshëm, pra gradë për funksion.

“Kanë shkatërruar në këtë formë meritokracinë”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se këto ndryshime dëmtojnë punonjësit e Policisë së Shtetit që ndërtojnë karrierën përmes punës dhe përvojës.

Ahmeti komentoi edhe marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit, SPAK dhe BKH-së, duke u shprehur se kur “çdo regjim, kur fillon dhe përpëlitet, nuk gjen zgjidhje tjetër. Nën justifikimin e veprimeve burokratike, mundohet që të katapultojë persona të cilët do të zbatojnë urdhrat politikë, jo ligjin”.

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti: Në ditët e fundit, në seancën e fundit, janë miratuar disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit. Kanë ndryshuar disa pika, ku i kanë dhënë kompetenca drejtorit të përgjithshëm, pra, gradë për funksion. Kanë shkatërruar në këtë formë meritokracinë.

Mua më dhimbsen shumë ata kolegë të cilët shpresojnë që një ditë, me punën, djersën dhe dinjitetin e tyre, do të ngrihen në një gradë të caktuar. Sepse grada është pagesë, grada është dinjitet, grada është pikërisht të krijohet piramida, zinxhiri i komandimit me meritokraci. Këta e kthyen, të paktën këtë pikë, në vitin 1994-1995. Do merret një oficer i cili, në thonjëza, është njësoj si një patronazhist dhe do vendoset në pozicionin e drejtorit dhe, në bazë të këtij ligji, do t’i jepen grada.

Kjo është të zhbësh ligjin e Policisë së Shtetit. Kjo do të thotë të shkatërrosh piramidën nga baza poshtë, ta çosh në bazën sipër. Nuk mund të ndodhë. I jep një goditje të jashtëzakonshme këtij institucioni. Arrin deri aty sa të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, në këtë mënyrë, të demoralizohen. Kjo do të thotë më shumë krim në rrugë, më shumë krim në skutat e këtij vendi.

Ju po e shihni vetë se çfarë krisjeje dhe çfarë çarje ka ndërmjet SPAK, BKH dhe Policisë së Shtetit dhe pse e kanë bërë? Sepse çdo regjim, kur fillon dhe përpëlitet, nuk gjen zgjidhje tjetër. Nën justifikimin e veprimeve burokratike, mundohet që të katapultojë persona të cilët do të zbatojnë urdhrat politikë, jo ligjin.

Kjo është diçka e keqe për këtë institucion dhe për ne. Me shpresën e plotë që kjo klikë, kur të shporret nga ky vend, ne do të ndërtojmë institucionin e Policisë së Shtetit të saktë, t’u ngjajë atyre në të gjithë Ballkanin dhe Evropën. Do t’ia kthejmë Policinë e Shtetit vendit. Mos e lëshoni fronin, po vjen dita. Në shtator do ta marrim situatën në dorë.

“Duam një Shqipëri të re”- I riu akuza qeverisë: Votën nuk e japim që të na vidhni, mashtruar e ofenduar për katër vite! Edhe zvarrë do vijmë në këtë shesh

Një aktivist i ri akuzoi qeverinë se pasi i merr votën një herë qytetarëve shqiptarë, për 4 vite të tjera i vjedh, mashtron dhe ofendon në mënyrë hipokrite.

Nga podiumi i protestës në ditën e 67-të ai tha se ata duan një Shqipëri të re, sepse kishte ardhur koha për të thënë mjaft dhe do vinin në revolte edhe duke u zvarritur.

“Ne duam një Shqipëri tre. Kur i shqiptari thërret Rama në burg, Berisha në burg është jo se kanë urrejtje, por se ai shqiptar është i shtypur, është i lënë pa mekanizëm për t’u mbrojtur. Kjo nuk ju jep të drejtën që të na shtypni për katër vite edhe pse na e merrni njëherë votën. Nuk e japim votën për të na vjedhur, gënjyer, mashtruar dhe sidomos jo që të na ofendoni. Shqiptarët kudo në diasporë janë punëtorë dhe të ndershëm. Ne jemi luftuar gjithmonë paqësisht, jemi një komb me zjarr, jemi krenarë. E kemi treguar me mënyrën se si ngrihemi e protestojmë kundër të padrejtave”, tha ai.

Më tej i riu kujtoi se kjo ishte protesta më paqësore dhe e drejtë në botë, duke shtuar se dikur aty bëheshin protesta të dhunshme dhe me armë.

“Këtu vite më parë bëheshin protesta të dhunshme, shikoni tani, asnjë lloj dhune, asnjë lloj arme, shikojeni tani, Shqipëria meriton më shumë. Kemi 67 ditë që vijmë në protestë, me besimin se ndoshta do ndryshojmë diçka, sado të vogël. Ju përgëzoj të gjithëve në shesh se keni bërë punë fantastike, duke treguar shpirtin enjë qytetari evropian. Është koha që të tregojmë se sikur edhe zvarrë të vijmë në këtë shesh, ne të mbajmë kryet lartë dhe të ruajmë dinjitetin tonë, edhe sikur 5 vetë të mbetemi këtu, edhe sikur 1 person të vijë poshtë dritares së kryeministrit dhe t’i bërtasë, ai është mjaftueshëm”, vijoi ai.

I riu akuzoi qeverinë për hipokrizinë e saj, teksa apeloi për rezistencë deri në rrëzimin e qeverisë.

“Jeni në periudhë të vështirë, se jeni hipokritë që flisni për ndershmëri, gënjeshtarë dhe mashtruesa. Ndaj ju falenderoj për rezistencën e pamposhtur. Një thirrje e fundit për të gjithë që na ndjekin kudo, edhe në diasporë: Ejani në protestë”, përfundoi ai.

Protesta e 67-të kundër Ramës/ “Shkatërruan meritokracinë në Policinë e Shtetit”, qytetari: Regjimi katapulton persona që zbatojnë urdhrat politikë, por…

Në protestën e 67-të kundër qeverisë, një qytetar kritikoi ndryshimet e fundit në ligjin për Policinë e Shtetit, duke deklaruar se ato dëmtojnë meritokracinë dhe ndikojnë në funksionimin e institucionit.

Sipas tij, zgjerimi i kompetencave të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit sjell demotivim te punonjësit dhe pasoja në sigurinë publike.

“Në seancën e fundit u miratuan disa ndryshime në ligjin për policinë e shtetit i kanë dhënë kompenteca drejtorit të përgjithshëm. Shkatërruan meritokracinë. Do të thotë të shkatërrosh policinë duke i dhënë një goditje këtij institucioni. Të gjithë punonjësit në këtë mënyrë demoralizohen dhe demoralizimi i këtij institucioni do të thotë më shumë krim në rrugë.

Ju po e shihni çfarë çarje ka mes SPAK, BKH e Policisë së Shtetit. Por çdo regjim mundohet të katapultojë persona që do zbatojë urdhra politikë dhe jo persona që do zbatojë ligjin. Kur të shporret kjo klikë do ndërtojmë institucionin e policisë të saktë. Do të ja kthejmë Policinë e Shtetit vendit…Burra e gra, frontin mos  e lëshoni”, tha një tjetër qytetar në protestën e 67 kundër kryeministrit Edi Rama.

“Duhet të rezistojmë”- Protestuesja akuza qeverisë: I përdor personat me aftësi të kufizuara vetëm për vota!

Një qytetare protestuese tha sot nga sheshi i revoltës qytetare në ditën e 67-të se protestojnë për të drejtat e tyre, kundër korrupsionit dhe abuzimeve të qeverisë, si dhe shkeljes së të drejtave të tyre.

E solidarizuar për të drejtat e minatorëve, teksa ishte veshur si e tillë në mënyrë simbolike, qytetarja tha se shteti edhe personat me aftësi të kufizuara i keqpërdor për vota.

Ajo deklaroi se protestuesit kanë shumë shqetësime, duke përmendur korrupsionin, keqmenaxhimin dhe mungesën e mbështetjes për shtresat në nevojë.

“Gjëja e parë që duhet të bëjmë është rezistenca. Duhet të kërkojmë edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ata përdoren vetëm si numër votash. Arsyeja pse protestojmë është korrupsioni, keqqeverisja. Janë shumë faktorë. Po shkojmë drejt një gjendjeje jetike për qytetarët”, u shpreh qytetarja. 

Sipas protestueses, një nga shqetësimet kryesore është mënyra se si trajtohen grupet vulnerabël, të cilat, sipas saj, nuk marrin mbështetjen e duhur nga institucionet.

Protesta në Sheshin “Skënderbej” vijon prej më shumë se dy muajsh, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje për problematikat që ata i konsiderojnë shqetësime të rëndësishme sociale dhe ekonomike.

Dita e 67-të e protestës popullore, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

Ka nisur marshimi tradicional i përnatshëm drejt Kryeministrisë në ditën e 67-të të protestës popullore dhe rezistencës historike të qytetarëve që kërkojnë ndryshim të sistemit politik dhe të qeverisjes.

Pasi lanë sheshin “Skënderbej” ku u grumbulluan fillimisht, me pankarta, parulla, simbole kombëtare dhe thirrje për ndryshim të qeverisjes dhe largim të kryeministrit Edi Rama, ata nisën marshimin në bulevard.

“Rama jepe dorëheqjen”, “Ndryshim sistemi”, “Arrestoni Ramën”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Atdheu është i yni, jo biznes privat”, “Arresto Ballukun”, “Ju me gaz ne me vezë, Edi Rama i pabesë”, ishin thirrjet e tyre para se të mblidheshin para Kryeministrisë.

Aktivisti nga Londra: Pjesëmarrje masive e emigrantëve nga 14-17 gusht dhe 12-19 shtator, do jemi në shesh!

Diaspora është e vendosur që të bëjë tre kthime të radhës në Shqipëri, për të mbështetur protestën popullore që mbahet në Tiranë dhe sot hyn në ditën e saj të 67 të rezistencës para Kryeministrisë, ku kërkohet rrëzimi i qeverisë dhe Edi Ramës, si dhe ndryshimi i sistemit politik.

Kështu konfirmoi aktivisti i diasporës në Angli, Bledar Meti, i ftuar në një lidhje direkte me televizionin News24. Ai shpjegoi strategjinë dhe turet që po ndërmerr në Evropë për këtë organizim, kthimet e para nga 14-17 gusht dhe më pas në 12-19 shtator.

Ai shpjegoi se pjesëmarrja do të ishte masive dhe me strategji, ku do organizohen edhe takime dhe tubime, me parimin “festë dhe protestë”.

“E kam thënë edhe më parë, gushti do jetë festë dhe protestë për diasporën. Ne po punojmë edhe për dy data të tjera kthimi, 14-17 gusht, ku nuk janë vetëm shqiptarët e Britanisë, por edhe të vendeve të tjera, si ata në Gjermani dhe Francë. Ata do marrin përkrahjen e emigrantëve në Britani dhe vende të tjera. Por është edhe kthimi i tretë që do jetë më i madhi, ndaj edhe kam marrë një tur nëpër Evropë, pra në mes datave 12 dhe 19 shator. Do të ketë shumë shqiptarë që do i bashkohen këtij kthimi. Ndaj kam ndërmarrë edhe një turn ë Holandë, Belgjikë e të tjera, që të jetë edhe kthimi më i madh i Diasporës, ku të jemi atje jo vetëm me marshim por edhe me aktivitete më të zgjeruara”, tha meti në komentin e tij për aktualitetin e protestës.

I pyetur për rezultatet e protestës dhe vijimin e saj më tej, meti u shpreh se kryeministri Rama si pasojë e kësaj lëvizjeje popullore ka humbur legjitimitetin dhe i janë tundur themelet.

“Protesta në vetvete ia ka tund themelet kryeministrit, pavarësisht qeverisjes së tij prej 13 vitesh apo siç referohet në intervistat e tij se kishte vetëm protestë në qershor, por unë kam qenë aty prezent, edhe në korrik, edhe në diasporë ka pasur protesta. Ai e ka humbur legjitimitetin. Jam i befasuar se ku gjen besimin dhe forcën për të qëndruar në pushtet”, vijoi ai.

Sipas aktivistit, Rama ka humbur edhe besimin e një pjese të drejtuesve të lartë të qeverisë apo partisë së tij.

“Jemi në një moment ku edhe zyrtarë të qeverisë së tij dhe partisë, që vijnë nga burime të besueshme, që nuk dakordësohen me mënyrën se si drejton dhe qeveris Rama. Por ai nuk kupton se shqiptarët janë këtu dhe nuk do dorëzohen deri në momentin e fundit, do qëndrojnë”, argumentoi Meti.

Sot dita e 67 e protestës/ Qytetarët nuk dorëzohen

Qytetarët do të mblidhen edhe sot në Sheshin Skënderbej, duke shënuar ditën e 67 të protestës qytetare, e cila prej më shumë se dy muajsh zhvillohet çdo ditë në kryeqytet.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit nisin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku vijojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj klasës politike.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.

Protesta nisi fillimisht si një reagim kundër një projekti turistik në Zvërnec, por me kalimin e javëve ajo u shndërrua në një lëvizje më të gjerë qytetare, me fokus kundërshtimin e korrupsionit dhe kërkesat për ndryshim në qeverisje.

Edhe pse kanë kaluar dy muaj qytetarët nuk ndalen, por çdo ditë dalin dhe shprehen të vendosur se nuk do të largohen deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat