Si funksionojnë fishekzjarret?

Speciale

Si funksionojnë fishekzjarret?

Nga: Paul E.Smith “The Conversation” Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 13:11
Ilustrim

Për shumë njerëz në mbarë botën, momentet e para të Vitit të Ri, do të jenë të mbushura me tinguj dhe shfaqje shumëngjyrëshe të fishekzjarrëve. Sot ekzistojnë mijëra variacione të këtyre mjeteve piroteknike, dhe një degë e tërë e kimisë merret me këto shpërthime në funksion të argëtimit të njerëzve në momente festimi.

Unë jam kimist në profesion dhe president i Shoqatës Ndërkombëtare të Piroteknikës, një organizatë që promovon përdorimin e sigurt të fishekzjarrëve, dhe përdorimin e tyre për të kremtuar festa siç është edhe ajo e Vitit të Ri. Për prodhimin e fishekzjarrëve përdoren qindra formula kimike.

Ato bazohen ende në një përzierje të lashtë kimikatesh, që prodhojnë fishekzjarret klasike, Por fishekzjarrët sot përdorin të gjitha llojet e kombinimeve kimike. Përbërësi i parë i çdo fishekzjarri është pluhuri i zi i prodhuar për herë rë parë që në lashtësi, dhe që shpërthen me forcë.

Ai u zbulua nga alkimistët kinezë më shumë se 1 mijë vjet më parë, dhe receta ka qenë praktikisht e pandryshuar ndër shekuj. Për të prodhuar këtë pluhur të zi, gjithçka që duhet të bëni është të përzieni 75 për qind nitrat kaliumi, 15 për qind qymyr dhe 10 për qind squfur.

Për të prodhuar një fishekzjarr klasik, mjafton që ta vendosni këtë pluhur në një enë, zakonisht prej kartoni të trashë apo letre.

Po si funksionon mekanizmi i një fishekzjarri? Squfuri rrjedh mbi nitratin e kaliumit dhe qymyrin, të cilat më pas digjen. Djegia prodhon me shpejtësi një sasi të madhe energjie dhe gazi. Pra me fjalë të tjera, një shpërthim.

Nëse ka një vrimë të vogël për daljen e gazit, reagimi lëshon fishekzjarrë në ajër. Në një hapësirë ​​shumë të kufizuar, ajo shpërthen përbërësit e fishekzjarrëve, dhe ndez gjithçka aty pranë. Përveç ndryshimit të sasisë së kufizuar të pluhurit të zi, ndryshimi i madhësisë së kokrrizave të tij, mund të ndryshojë edhe shpejtësinë e djegies.

Imagjinoni një zjarr në një kamping në pyll. Kur hidhni në të një trung të madh peme, zjarri digjen më gjatë dhe më ngadalë. Por nëse i hidhni një grusht tallash, ai do të digjet me shumë shpejtësi. Pluhuri i zi funksionon në mënyrë të ngjashme.

Nëse vendosni pluhur shumë të imët të zi në një hapësirë ​​të mbyllur, ai shpërthen në një re nxehtësie, gazi dhe zhurme. Por nga vijnë ngjyrat dhe drita e shndritshme? Kur ngrohni ndonjë material të caktuar, ajo që po bëni në fakt është vendosja e energjisë në elektronet e atomeve të atij materiali.

Dhe nëse i ngacmoni mjaftueshëm elektronet, kur ato bien nga nivelet e tyre normale të energjisë, dhe e lëshojnë në formën e dritës energjinë e tepërt. Ekzistojnë një sërë elementësh të ndryshëm që kur shtohen në një fishekzjarr dhe nxehen, lëshojnë gjatësi vale të ndryshme drite që shfaqen në ajër si ngjyra të ndryshme.

Kështu prania e stronciumit e jep fishekzjarrin ngjyrën e kuqe. Bariumi prodhon jeshilen. Bakri digjet në ngjyrën blu e kështu me radhë. Prodhimi i fishekzjarrëve që prodhojnë ngjyrën blu ka qenë prej kohësh një sfidë për kimistët e fishekzjarreve.

Bluja e thellë është shumë e errët, prandaj nuk mund të shihet në qiellin e natës. Por nëse bluja është shumë e lehtë, ajo duket e bardhë. Prandaj gjatësia e valës së “blusë së përsosur” duhet të jetë shumë e saktë.

Kjo gjë është e vështirë të arrihet, pasi drita blu ka një gjatësi vale më të shkurtër.

Dhe kjo do të thotë se distanca midis majave dhe luginave të valës së dritës, janë shumë pranë njëra-tjetrës. Disa elementë prodhojnë ngjyra të ndryshme, por ç’mund të themi mbi shkëlqimet dhe vezullimet e fishekzjarrëve?

Për t’i realizuar këto efekte, në formulat piroteknike mund të shtohen metale të ndryshme. Alumini, magnezi dhe titani, prodhojnë që të gjitha shkëndija të bardha. Duke shtuar hekur, mund të keni fishekzjarrë me shkëndija të arta. Përzierja e llojeve të ndryshme të qymyrit mund të prodhojë shkëndija të kuqe dhe portokalli.

Secili prej këtyre elementëve, digjet me një shpejtësi të ndryshme, dhe në një mënyrë të ndryshme, ndaj prodhon ngjyra dhe intensitete të ndryshme drite. Faza e fundit e prodhimit të një fishekzjarri cilësor, është një efekt zanor emocionues.

Për t’i shtuar efekte zanore fishekzjarrit, ju keni nevojë për një formulë që prodhon shumë shpejt një sasi të madhe gazi. Nëse një fishekzjarr ka një vrimë të vogël për daljen e gazit, do të prodhojë një tingull në formën e një fishkëllime. Shpejtësia e gazit dhe madhësia e vrimës, do të ndryshojnë lartësinë dhe prodhojë zërin e një bilbili.

Image
Ilustrim
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat