Pjesa e brendshme e Tokës po ftohet më shpejt se sa mendohej, ja çfarë pritet të ndodhë

Speciale

Pjesa e brendshme e Tokës po ftohet më shpejt se sa mendohej, ja çfarë pritet të ndodhë

Më: 28 janar 2022 Në ora: 18:30
Foto ilustrim

Toka u formua rreth 4.5 miliardë vjet më parë. Që atëherë, ajo është ftohur dalëngadalë nga brenda. Ndërsa temperaturat e sipërfaqes dhe të atmosferës luhaten gjatë epokave (ato të jashtmet aktualisht po ngrohen), brendia e shkrirë – zemra e planetit tonë – është duke u  ftohur gjatë gjithë kohës.

Bërthama e Tokës, është ajo që gjeneron fushën e saj të madhe magnetike, një strukturë e padukshme për të cilën shkencëtarët besojnë se mbron botën tonë dhe lejon lulëzimin e jetës. Përveç kësaj, konveksioni i mantelit, aktiviteti tektonik dhe vullkanizmi mendohet se ndihmojnë në ruajtjen e jetës përmes stabilizimit të temperaturave globale dhe ciklit të karbonit.

Për shkak se brendësia e Tokës është ende duke u ftohur, dhe do të vazhdojë të ftohet, kjo do të thotë se përfundimisht ajo do të ngurtësohet dhe do të pushojë aktiviteti gjeologjik, duke e shndërruar ndoshta Tokën në një djerrinë të shkretuar, të ngjashëm me Marsin apo Mërkurin.

Dhe një studim i ri ka zbuluar se kjo mund të ndodhë shumë më shpejt se sa mendohej më parë. Shenja treguese mund të jetë një mineral në kufirin midis bërthamës së jashtme hekur-nikel të Tokës dhe mantelit të poshtëm të lëngut të shkrirë mbi të.

Ky mineral kufitar midis mantelit dhe bërthamës quhet bridgmanit, dhe shpejtësia e përçimit të nxehtësinë do të ndikojë në atë se sa shpejt depërton nxehtësia përmes bërthamës dhe del në mantel. Përcaktimi i kësaj norme nuk është aq i thjeshtë sa testimi i përçueshmërisë së bridgmanitit në kushtet atmosferike të ambientit.

Përçueshmëria termike mund të ndryshojë në bazë të presionit dhe temperaturës, të cilat janë shumë të ndryshme në thellësi të planetit tonë. Për ta kapërcyer këtë vështirësi, një ekip shkencëtarësh të udhëhequr nga shkencëtari planetar Motohiko Murakami nga Universiteti “ETH Zurich” në Zvicër, rrezatuan mbi një kristal të vetëm bridgmanit me lazer pulsues, duke e rritur njëkohësisht temperaturën e tij nga 2.166 gradë Celcius dhe presionin në 80 gigapaskal që dimë se është afër gjendjes në mantelin e poshtëm deri në 2.356 gradë dhe një presion 127 gigapaskal.

“Ky sistem matës na lejon të tregojmë se përçueshmëria termike e bridgmanitit është rreth 1.5 herë më e lartë se sa supozohej”-thotë Murakami. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se rrjedha e nxehtësisë nga bërthama në mantel, është më e lartë se sa mendonim.

Për rrjedhojë, edhe shkalla me të cilën po ftohet brendësia e Tokës, është më e shpejtë nga sa mendonim. Dhe ky proces mund të përshpejtohet. Kur ftohet, bridgmaniti shndërrohet në një mineral tjetër të quajtur post-perovskit, që është edhe më i përçueshëm termikisht, dhe për këtë arsye do të rriste shkallën e humbjes së nxehtësisë nga bërthama në mantel.

“Rezultatet tona mund të na japin një perspektivë të re mbi evolucionin e dinamikës së Tokës. Ato sugjerojnë se Toka, ashtu si planetët e tjerë shkëmborë si Mërkuri dhe Marsi, po ftohet dhe po bëhet joaktive shumë më shpejt se sa pritej”- thekson shkencëtari.

Sa për saktësinë e shpejtësisë, kjo nuk dihet. Ftohja e një planeti nuk është diçka që ne e kuptojmë shumë mirë. Marsi po ftohet pak më shpejt pasi norma është dukshëm më e vogël sesa e Tokës. Por ka edhe faktorë të tjerë që mund të luajnë një rol në shpejtësinë e ftohjes së  brendisë së planetit.

Për shembull, prishja e elementeve radioaktive mund të gjenerojë nxehtësi të mjaftueshme për të ruajtur aktivitetin vullkanik. Elementë të tillë janë një nga burimet kryesore të nxehtësisë në mantelin e Tokës, por kontributi i tyre nuk është kuptuar mirë.

Gjithsesi, ka të ngjarë që ky të mos jetë një proces i shpejtë krahasuar me jetën njerëzore. Në fakt, ka të ngjarë që Toka të bëhet e pabanueshme shumë më parë nga mekanizma të tjerë. Kështu ne mund të kemi pak kohë në dispozicion për të punuar më shumë mbi problemin, për ta kuptuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat