​Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Sporti

​Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Më: 27 nëntor 2024 Në ora: 11:24
Kurti: Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ janë ngjarja më e madhe sportive në vend dhe rajon

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare, të cilat do të organizohen në Kosovë në vitin 2030. Ky projektligj parasheh që Lojërat Mesdhetare të shpallen si çështje me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës.

Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani tha se ky projektligj vjen si rezultat i një analize të thellë ligjore vendore dhe ndërkombëtare dhe se përmes tij themelohet edhe Komiteti Organizativ i këtyre lojërave.

Osmani: Me këtë projektligj Lojërat Mesdhetare shpallen çështje me rëndësi të veçantë

“Hartimi i këtij projektligji është rezultat i një procesi të thellë të analizës duke përfshirë shqyrtimin e kornizës ligjore vendore dhe praktikave ndërkombëtare të organizimit të ngjarjeve multisportive të ngjashme. Me miratimin e këtij projektligji Lojërat Mesdhetare shpallen çështje me interes të veçantë për Republikën e Kosovës duke reflektuar rëndësinë strategjike që ky projekt ka për vendin tonë. Ky ligj themelon Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare 2030, një strukturë ë pavarur me statusin e fondacionit të Organizatës joqeveriatre përgjegjëse për udhëheqjen e këtij aktivitet”, tha Osmani.

Kryesues i këtij komiteti do të jetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se përmes organizimit të kësaj ngjarjeje, Kosova do të ketë infrastrukturë moderne sportive por edhe do të promovohet në arenën ndërkombëtare.

Kurti: Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ janë ngjarja më e madhe sportive në vend dhe rajon

‘Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ janë ngjarja më e madhe sportive në vend dhe rajon dhe përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejtë në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive kurse përmes mikëpritjes do të kontribuojë në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të republikës sonë”, theksoi Kurti.

Të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare Kosova e fitoi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të zhvilluar në Greqi, në shtatorin e vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat