​Rrëfimi për rrugëtimin e “shtëpisë së sportit” drejt ndërkombëtarizimit

Sporti

​Rrëfimi për rrugëtimin e “shtëpisë së sportit” drejt ndërkombëtarizimit

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 13:07
Besim Hasani

Si shtet jo anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shanset për t’iu bashkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ishin të vogla. Pa financa e me plot sfida, ajo që njihet si “ombrella” e sporteve vendore, e arriti synimin e saj dhe sivjet shënoi një dekadë brenda këtij institucioni ndërkombëtar.

Deri tek anëtarësimi, që ishte njëri nga lajmet më të rëndësishme për sportin e Kosovës, ishin bërë përpjekje të mëdha që nga vitet e para të pasluftës në Kosovë e deri në vitin 2014.

Për këtë rrugëtim të vështirë, në një intervistë për KosovaPress flet ish-presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, sipas së cilit, ishte e vështirë të punohej në këtë drejtim pasi Kosova, atëbotë, nuk mbështetej nga asnjë shtet.

Hasani: Përpjekjet për ndërkombëtarizim të sportit filluan menjëherë pas luftës

“Pas luftës [në Kosovë] krejt rrjedhshëm shtohen apetitet tona që të kemi edhe aktivitete tjera dhe njohje të tjera, dhe këtu bëhet një intensifikim. Fillon bashkëpunimi me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, nëse mund ta quaj, sepse më shumë ka qenë i njëanshëm por nuk është që nuk na janë përgjigjur, ata na janë përgjigjur në këto ftesat tona për bashkëpunim, komunikim e takime dhe në bashkëpunim së pari me Bordin Ekzekutiv dhe pastaj me krerët e federatave, e kemi bërë një strategji në vitin 2003 e cila u përpilua së bashku edhe me Ligjin për sport dhe nga atëherë kemi qenë shumë proaktiv”, thotë Hasani.

Ai tregon se lobimi për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar vështirësohej edhe më shumë për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.

Hasani: Lobim në kushte të vështira financiare

“Intensifikimi vije nga viti në vit, duke u rritur me praninë time në çdo ngjarje sportive ku tuboheshin akterët kryesorë të lëvizjes olimpike ndërkombëtare, por edhe krerët e federatave ndërkombëtare. Unë e gjeja formën me kolegët e mi që vinin kohë pas kohe sepse edhe mbështetja financiare ishte e vështirë dhe iu dukej njerëzve që është e pakuptimtë që ne të lobojmë pa qenë anëtarë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por ne nuk e shihnim ashtu dhe donim të depërtonim me çdo kusht”, thotë Hasani.

Tutje, Hasani zbulon se, për shkak se Kosova atëbotë ende nuk e kishte shpallur pavarësinë e saj, të gjitha shtetet ishin kundër pranimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Por, përkundër të gjitha pengesave, lajmi i madh erdhi ne tetorin e vitit 2014.

Hasani: Lajmi i madh erdhi në tetorin e vitit 2014

Për të gjithë ka qenë e ditur që Kosova pa u bë shtet i njohur ndërkombëtarisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk ka shanse që Komiteti Olimpik i Kosovës të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, dhe për ata ka qenë e qartë...Më 22 tetor të vitit 2014 pasi e kisha dorëzuar aplikacionin të përgatitur jashtëzakonisht me kujdes, voluminoz, aq sa duhej sepse kisha marrë disa instruksione çfarë është esenciale për të dërguar...dhe pasoi vendimi për njohje te përkohshme të Komitetit Olimpik. Të gjitha votat kanë qenë në favor të Kosovës”, bën të ditur Hasani.

Sot, një dekadë pas, Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e një ngjarjeje të madhe sportive siç janë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Hasani: Lojërat Mesdhetare kanë rëndësi jetike, askush të mos i neglizhojë përgatitjet

Duke marrë parasysh rëndësinë që ka organizimi i Lojërave Mesdhetare për imazhin e shtetit, të mos flasim për ne qe jemi nëpër federata, sa është e rëndësishme për sportistët tanë, dhe jo vetëm për sportistët por edhe për trajnerët e administratorët, përvoja që fitohen këtu jam i bindur që askush nuk guxon dhe nuk e ka kurajën që të mos e kryejë punën dhe obligimin që e ka për t’u organizuar dhe ndërtuar gjithë infrastruktura në kohë, për t’u mbajtur Lojërat Mesdhetare këtu në Kosovë. Nuk guxon ta bëjë askush sepse do të dënohet nga vet qytetarët e Republikës së Kosovës, sidomos nga sportistët”, thotë Hasani.

Ai shton se me një infrastrukturë më të konsoliduar sportive në vend, sportistët e Kosovës do të arrinin suksese edhe më të mëdha në skenën ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat