Shermen Valiev është krenaria e mundjes shqiptare në turneun e pestë ndërkombëtar “Muhamet Malo”, që tashmë është në rangun e një turneu botëror ranking series. Quajtur ndryshe i vlefshmë për klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa në të marrin pjesë më të mirët e Botës.
E në mungesë të Zelimkan Abakarov, që nuk konkurroi në peshën deri në 61 kilogram, apo Islam Dudaev, i cili u eleminua në raundin e dytë të peshës deri në 65 kilogram, atëherë e arta e Valiev ishte më shumë se sa sukses.
Valiev ka fituar në finalen e tij të peshës deri në 74 kilogram, 2-0 ndaj sllovakut Salkazanov. Ndërkohë dita e parë e turneut “Muhamet Malo” është dominuar nga Irani, që ka marrë dy medalje të arta. Kjo në peshën deri në 57 kilogram me Momenijouxhadei, që fitoi 5-2 me Beloliubskin. E më pas dhe në peshën 65 kilogram me Amozadkalilin, që mundi në finale 5-0 kazakistanasin Zhumashbek Uulu. Dy medalje të arta ka marrë dhe Japonia.
Kështu në peshën deri në 61 kilogram Takara Suda fitoi ndaj Mongush, kurse në peshën deri në 70 kilogram Aoyjagi mundi armenin Tevanian. Dhe medalja e artë e fundit i ka takuar amerikanit Marsteler, që fitoi ndaj kazakistanit Sakajev. E enjtja do të jetë për mundjen e lirë dhe mundjen e për femra.
E premtja vetëm për mundjen për femra, kurse e shtuna dhe e diela për mundjen klasike, apo greko-romake. Dhe i gjithë ky turne është duke ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.