Australia ka miratuar një ndalim unik në botë – përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16-vjeçare, duke ngjallur reagime të përziera nga qytetarët dhe kompanitë teknologjike.
Ky ligj, i cili parashikon gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë (mbi 30 milionë euro) për platformat që nuk zbatojnë rregullin, do të hyjë në fuqi pas një periudhe prove që fillon në janar.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka theksuar se qëllimi i masës është mbrojtja e shëndetit fizik dhe mendor të fëmijëve, duke e cilësuar si një prioritet për kompanitë teknologjike.
Një zëdhënës i TikTok, jashtëzakonisht popullor mes adoleshentëve, tha të premten se i gjithë procesi ka qenë tepër i shpejtuar dhe mendon se ekziston rreziku që fëmijët të vendosen në rrezik edhe më të madh, shkruan reuters.
“Jemi të zhgënjyer që qeveria australiane ka injoruar këshillat e shumë ekspertëve për shëndetin mendor të të rinjve, ekspertëve për sigurinë në përdorimin e internetit, si dhe ekspertëve që përfaqësojnë të rinjtë dhe që janë kundër kësaj ndalese”, tha ai.
Albanese iu përgjigj duke thënë se nuk pohon që zbatimi i ligjit do të jetë i përsosur, ashtu siç ndalimi i alkoolit për të rinjtë nën 18 vjeç nuk do të thotë se ata nuk e konsumojnë atë, por di që qeveria po bën gjënë e duhur.
Ndërkohë, reagimet e publikut kanë qenë të ndryshme: disa e përshëndesin si të nevojshme, duke argumentuar se rrjetet sociale shpesh nuk janë të përshtatshme për fëmijët, ndërsa të tjerë e kritikojnë si një cenim të demokracisë dhe të drejtave individuale.
Në kontrast me këtë qasje, vende si disa shtete të SHBA-së dhe Franca kanë zbatuar kufizime më të lehta, që kërkojnë pëlqimin e prindërve për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, por nuk janë ndaluese në mënyrë absolute.