OpenAI, kompania amerikane që qëndron pas zhvillimit të ChatGPT, ka njoftuar hapjen e një zyre të re në qytetin zviceran, Cyrih, duke synuar të forcojë praninë e saj në Evropë.
Cyrihu, i njohur si një nga qendrat kryesore të teknologjisë në kontinent, do të mirëpresë tre studiues kryesorë të inteligjencës artificiale (AI), duke u bërë një bazë e rëndësishme për kompaninë.
Lajmi u bë publik përmes një njoftimi për shtyp të mërkurën, ku theksohej rëndësia e qytetit si një qendër teknologjike, që strehon edhe kompani si Google prej dy dekadash.
Hapja e zyrës në Cyrih është pjesë e strategjisë së OpenAI për të zgjeruar operacionet në disa nga qytetet më të rëndësishme evropiane, shkruan swissinfo.
Përveç Cyrihut, kompania është tashmë e pranishme në Bruksel, Dublin, Londër dhe Paris. Aktualisht, vlera e kompanisë vlerësohet në 157 miliardë dollarë, duke e pozicionuar atë ndër kompanitë më të vlefshme teknologjike në botë.
OpenAI u themelua në vitin 2015 nga Sam Altman dhe Elon Musk, ndër të tjera, fillimisht si një organizatë jofitimprurëse me misionin për të avancuar teknologjinë AI për të mirën e njerëzimit.
Megjithatë, kompania ka ndryshuar strukturën e saj në një “korporatë përfitimi”, që synon të tërheqë më shumë investime. Elon Musk u largua nga kompania në vitin 2018 dhe që atëherë ka pasur përplasje ligjore me OpenAI, duke e përshkruar atë si një “de facto kompani fitimprurëse e Microsoft.”
Me këtë hap të ri, OpenAI synon të përforcojë pozicionin e saj si lider në zhvillimin dhe kërkimin e AI, duke përfituar nga talenti dhe burimet teknologjike që ofron Cyrihu.