TikTok ka humbur një betejë gjyqësore kundër planeve për të ndaluar aplikacionin e ndarjes së videove në SHBA.
Platforma kishte argumentuar se propozimi ishte një shkelje e Amendamentit të Parë të SHBA-së, i cili mbron lirinë e fjalës.
Bëhet e ditur se TikTok bëri presion për të rrëzuar ligjin që mund të çojë në ndalimin e tij brenda disa muajsh.
Megjithatë, peticioni u hodh poshtë të premten nga Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun e Distriktit të Kolumbisë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Gjyqtarët vendosën se ndalimi i qeverisë ishte kushtetues sepse ishte projektuar “vetëm për të mbrojtur atë liri nga një komb kundërshtar i huaj dhe për të kufizuar aftësinë e atij kundërshtari për të mbledhur të dhëna për njerëzit në Shtetet e Bashkuara”.
Ligji, i cili u nënshkrua nga presidenti amerikan Joe Biden në prill, kërkon që TikTok të ndërpresë lidhjet me kompaninë e tij mëmë me bazë në Kinë ByteDance deri në mes të janarit – ose përndryshe do të bllokohet në vend.
Ai u prezantua pas shqetësimit të disa politikanëve amerikanë se kompania mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me qeverinë kineze, pavarësisht garancive të përsëritura nga kompania se nuk do ta bënte.
Siç raportohet, TikTok dhe ByteDance tani kanë vendosur për të nisur një tjetër apel në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Ndryshe, shqetësime të ngjashme të sigurisë i shtynë ministrat në Mbretërinë e Bashkuar të ndalojnë aplikacionin nga telefonat e qeverisë në mars të vitit të kaluar.
Rreth 13 shtete amerikane dhe Uashington DC gjithashtu nisën veprime ligjore kundër platformës në tetor, duke pretenduar se po dëmtonte shëndetin mendor të fëmijëve dhe nuk po bënte mjaftueshëm për t’i mbrojtur ata.