Merriam-Webster: “Polarizim”, fjala e vitit 2024

Teknologji

Merriam-Webster: “Polarizim”, fjala e vitit 2024

Më: 9 dhjetor 2024 Në ora: 16:16
Foto ilustrim

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të këtij vitit në Shtete e Bashkuara për një pjesë të vendit dhe botës ishin tronditëse, ndërsa për pjesën tjetër një arsye për të festuar. Kështu që ndoshta nuk është befasi që fjala e vitit e zgjedhur nga redaktorët e fjalorit Merriam-Webster është fjala "polarizim". Sipas ekspertëve, kjo është një fjalë me shumë kuptime shkencore dhe metaforike, që këtë vit më së shumti është përdorur për të theksuar mosmarrëveshjet e forta mes dy grupimeve politike rivale në Shtetet e Bashkuara.

Fjalët e vitit, që zgjedh fjalori Meriam-Webster, zakonisht përdoren për të pasqyruar një nga ngjarjet kryesore të vitit. Për shembull, këtë vit zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara ishin kaq përçarëse, saqë shumë votues amerikanë shkuan në qendrat e votimit me ndjenjën se kandidati rival ishte një kërcënim ekzistencial për vendin.

“Fjala e vitit për vitin 2024 nga fjalori Merriam-Webster është polarizimi. Është e qartë se ky ishte një vit i rëndësishëm zgjedhjesh dhe kjo çështje ka mbizotëruar në këtë vit. Fjala polarizim është një term që është përdorur nga të gjithë”, thotë redaktori i fjalorit Merriam-Webster Peter Sokolowski.

Sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve Associated Press me mbi 120,000 votues, rreth 8 në 10 votues, që votuan për kandidaten demokrate Kamala Harris ishin shumë ose disi të shqetësuar se pikëpamjet e republikanit Donald Trump ishin shumë ekstreme, ndërsa rreth 7 në 10 votues që mbështetën zotin Trump kishin të njejtin mendim për zonjën Harris.

Në fjalorin Merriam-Webster fjala "polarizim" ka përkufizime shkencore dhe metaforike. Ajo më së shpeshti përdoret për të theksuar "mosmarrëveshjet e forta midis fraksioneve ose grupimeve kundërshtare". Kompania amerikane Merriam-Webster, e cila merr 100 milionë klikime në muaj në faqen e saj të internetit, zgjedh fjalën e vitit bazuar në të dhënat, vëzhgimin e rritjes së kërkimeve dhe përdorimit të saj.

Zgjedhja e vitit të kaluar ishte fjala "autentik". Fjala e këtij viti vjen në një kohë kur një pjesë e madhe e popullatës po përballet me vështirësi në përpjekjet për të arritur konsensus mbi atë që është autentike.

"Mendoj se fjalori është një lloj platforme për kuptimin e fjalëve në një epokë lajmesh të rreme dhe faktesh alternative, ku mund të thoni çfarë të doni mbi vlerën e kuptimit të një fjale. Të paktën fjalori mund ta masë kuptimin e një fjale në një mënyrë shumë specifike për të gjithë", thotë Peter Sokolowski, redaktor i fjalorit amerikan Merriam-Webster.

Fjala "polarizim" filloi të përdorej në vitet 1800, jo gjatë epokës së Rilindjes, siç ndodhi me shumicën e fjalëve shkencore me origjinë latine, thotë zoti Sokolowski. Një prej përdorimeve shkencore, sipas tij, ka të bëjë me elektricitetin, që funksionon me dy pole të kundërta.

Redaktori i fjalorit Meriam-Webster thotë se kjo është një "fjalë mjaft e re", në kontekstin e gjuhës angleze. Ai shton se fjala "i polarizuar” i jep intensitet një fjale tjetër dhe në Shtetet e Bashkuara përdoret më shpesh për të përshkruar marrëdhëniet racore, politikën dhe ideologjinë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat