Nokia prezanton kamerën e parë 5G në botë që ofron transmetim të videos 8K me zë hapësinor dhe dizajn të fuqishëm për përdorim në kushte të ndryshme.
Kamera Nokia 360 Camera është pajisja më e re që Nokia prezanton në tregun e kamerave profesionale. Ajo ka aftësinë të transmetojë video live me rezolucion 8K dhe zë hapësinor duke përdorur lidhje me vonesë të ulët, si 5G, Wi-Fi ose Ethernet.
Siç thekson vetë prodhuesi, Nokia 360 Camera është e orientuar kryesisht për përdorues industrialë. Versioni me lidhje 5G spikat për qëndrueshmërinë e tij, është i përshtatshëm për temperatura ekstreme dhe është i certifikuar me IP67 për rezistencë ndaj ujit, pluhurit dhe goditjeve.
Për më tepër, ajo është e pajisur me sisteme të avancuara të sigurisë kibernetike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe funksionimin e besueshëm.
Kjo pajisje funksionon me softuerin Real-time eXtended Reality Multimedia (RXRM) të Nokias, i cili mbështet video 360 gradë, zë 3D OZO dhe ofron mundësi për analiza të avancuara dhe krijimin e realitetit të shtuar.
Sipas Sami Ranta, drejtor i përgjithshëm i RXRM në Nokia, kjo zgjidhje mundëson përmirësimin e proceseve të biznesit për klientët industrialë, duke reduktuar kostot në operacionet në distancë, si mbikëqyrja, trajnimet dhe menaxhimi i operacioneve në terren. Ai gjithashtu theksoi se kamera është e përshtatshme për aplikime në ngjarje sportive dhe argëtuese.
Një shembull i përdorimit të kësaj teknologjie është implementimi i saj në minierën më të thellë të Evropës, Pihasalmi në Finlandë, ku përdoret për aktivitete kërkimore dhe trajnim në distancë në bashkëpunim me kompaninë finlandeze Callio Pihajarvi.