Forlan debuton me humbje

Tenis

Forlan debuton me humbje

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 17:18
Diego Forlan

Ish-futbollisti i njohur Diego Forlan pësoi humbje me rezultat 6-1, 6-2 për vetëm 47 minuta në debutimin e tij në tenisin profesionist, në një ndeshje dyshe në vendlindjen e tij, Uruguai.

Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Atletico Madrid, 45-vjeçar, së bashku me partnerin e tij argjentinas, Federico Coria, humbën përballë çiftit bolivian Boris Arias dhe Federico Zeballos, pasi morën një “wildcard” për Uruguay Open në Montevideo.

Turneu është pjesë e ATP Challenger Tour – niveli i ulët i ATP Tour kryesor.

“As që kisha imagjinuar, lëre më të ëndërroja për këtë,” tha Forlan, në një deklaratë për claytennis.com. “Është e mrekullueshme të luash kundër profesionistëve.”

Të dy çiftet mbajtën shërbimin në fillim të ndeshjes, por Arias dhe Zeballos fituan shpejt një avantazh pasi arritën një “break” në lojën e tretë të setit të parë.

Pavarësisht mbështetjes së madhe për Forlan, seti i dytë përfundoi në mënyrë të ngjashme, me Forlan dhe Coria që e kishin të vështirë të konkurronin në lojërat e shërbimit të kundërshtarëve dhe nuk arritën të fitonin asnjë pikë për “break”.

“Atmosfera në këtë fushë që e dua aq shumë ishte e pabesueshme; miqtë dhe familja ime ishin këtu. Ishte shumë e veçantë, dhe e shijova shumë,” tha Forlan.

“U ndjeva si një tenist për një moment.”

Forlan ishte një talent premtues në tenis si i ri dhe u rikthye për të luajtur më rregullisht pas karrierës së tij 20-vjeçare në futboll.

Ai luante me miq në një ligë klubesh në Montevideo dhe bëri debutimin e tij në ITF Masters Tour në vitin 2023.

Partneri i tij, Coria, ishte në vendin e 49-të në renditjen e tenisit për teke vitin e kaluar dhe ka arritur më parë raundin e tretë në French Open.

“Jam mirënjohës për mundësinë për të luajtur me Fede,” tha Forlan.

“Nuk është e lehtë për të të hyjë në këto turne me një amator pranë tij".

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat