Tetovë, kamera sigurie për kapjen e ndotësve të lumit Shkumbin

Tetova

Tetovë, kamera sigurie për kapjen e ndotësve të lumit Shkumbin

Më: 9 shtator 2024 Në ora: 17:25
Foto ilustrim

Edhe pse lumi Shkumbin herë pas herë pastrohet, qoftë nga autoritetet komunale qoftë nga iniciativa të qytetarëve, megjithatë mbetet problematike hedhja e mbeturinave. Qytetarë të pandërgjegjshëm apo kompani private jo rrallë herë mbeturinat i hedhin drejtpërdrejt në rrjedhën e lumit Shkumbin. Kjo po krijon përshtypjen se shtrati i lumit nuk pastrohet dhe është deponi për mbeturina.

Gjatë kësaj periudhe, sërish janë hasur mbeturina të hedhura në Shkumbin në pjesën tek Çarshia e Epërme. Kjo ka bërë që të del në terren sërish kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili ka kërkuar nga qytetarët të jenë më të kujdesshëm, ndërsa paralajmëroi se nga tash e tutje – do të bëhet indentifikimi i atyre që ndotin lumin dhe ndaj të njëjtëve do të ketë edhe dënime, shkruan gazeta Koha.

“Fatkeqësisht, ende ka qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët vazhdojnë me avazin e vjetër dhe hedhin mbeturina aty ku nuk e kanë vendin. Sigurisht, në bashkëpunim me Inspektoratin komunal janë identifikuar disa hedhurina që janë hedhur pas pastrimit të lumit dhe inspektorati komunal pas identifikimit të rastit, do të merr masa adekuate ndaj atyre qytetarëve të pandërgjegjshëm. Ne lusim qytetarët dhe ata që vizitojnë qytetin e Tetovës të ruajnë ambientin, të ruajnë hapësirat publike e kështu me radhë, sepse vetëm kështu mund të kemi një qytet të pastër dhe një qytet të cilin të gjithë e duam. Komuna me ndërmarrjet dhe Inspektoratin komunal e bën punën e vet dhe bën të pamundurën për një qytet të pastër, por sigurisht këtu na duhet bashkëpunimi me qytetarët, që bashkërisht të kemi një qytetet më të pastër”, tha Kasami.

Tashmë në disa lokacione janë vendosur edhe kamera të sigurisë, përmes të cilëve do të bëhet edhe identifikimi i atyre që hedhin mbeturina në lumin Shkumbin dhe jo vetëm. Inspektorët komunal do të jenë më shpesh në terren dhe do të punojnë për të kapur personat që hedhin mbeturina dhe rastet e këtilla, sipas Kasamit, nuk do të tolerohen.

“Sigurisht se parashihen masa, Inspektorati komunal në vazhdimësi, në lokacionet ku identifikohen mbeturina në vende jo adekuate, do të merr masa. Në disa vende janë instaluar edhe kamera të sigurisë edhe në këtë lokacion ka kamera të sigurisë, sigurisht se në bazë të të cilave është identifikuar edhe qytetari i pandërgjegjshëm, pra ata që do të zbulohen ndaj tyre do të merren masa dhe nuk do të ketë tolerim për gjithë ata që ndotin ambientin. Po ashtu, kërkojmë bashkëpunim edhe nga qytetarët, që në rast se vërejnë persona që hedhin mbeturina në lum, ti denoncojnë tek institucionet përkatëse”, sqaroi Kasami.

Paralajmërimet nga Komuna e Tetovës janë se në të ardhmen, do të vendosen më shumë kamera me qëllim që të parandalohet hedhja e mbeturinave dhe lumi Shkumbin të jetë vend i pastër dhe i njëjti të shfrytëzohet për rekreim dhe aktivitete tjera dhe jo të shndërrohet në deponi për mbeturina.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat