Pas Kupës Pavarësia, volejbolli do t’u rikthehet aktiviteteve kombëtare, teksa sot do të nisin sfidat e javës së katërt për fazën e grupeve të Kupës së Shqipërisë.
Në radhët e femrave sot në orën 16:00 do të luhen dy ndeshje për Grupin B, Vllaznia-Partizani dhe Pogradeci-Tirana.
Për sa i përket Grupit A, java e katërt do të hapet nesër me ndeshjen Dinamo-Teuta në orën 16:00 në Farkë, për tu mbyllur më 2 dhjetor me sfidën Barleti-Skënderbeu në orën 14:00 në “Asllan Rusi”.
Te meshkujt sot në orën 18:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të zhvillohet takimi Vllaznia-Tirana, i vlefshëm për Grupin B, ndërsa sfidat e këtij grupi do të kompletohen nesër me përballjen Elbasani-Skënderbeu në orën 16:00.
Ndërkohë ndeshja e Grupit A, Teuta-Studenti do të luhet nesër në orën 18:00 në Durrës, me Partizanin që këtë javë do të qëndrojë pushim për shkak të numrit tek të ekipeve në këtë grup.