Komesari i Garave i Federatës së Volejbollit të Kosovës, pasi ka analizuar në tërësi incidentin në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj, ka marrë vendimin, duke suspenduar gjashtë volejbollistë të kampionit të Kosovës.
Volejbollistët e suspenduar janë: Leutrim Muja, Gazmend Husaj, Agron Nikçi, Arlind Kabashi, Kaltrin Berisha e Dardan Husaj.
Janë suspenduar deri në një vendim tjetër nga Federata e Volejbollit e Kosovës, përkatësisht Komesari i Garave.
Arsye e suspendimit është se këta volejbollistë, pas ndeshjes finale të Kupës së Federatës, ngjiten lart në tribunën prapa portës, duke u rrahur me tifozë - fëmijë.
Duhet theksuar se finalen e ka fituar Ferizaj me rezultat 3:2 ndaj Pejës.
"Federata e Volejbollit të Kosovës po trajton incidentin në ndeshjen e Kupës FVK-së, Peja - Ferizaj
Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) shpreh shqetësim për incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes së Kupës së FVK-së mes ekipeve Peja dhe Ferizaj. FVK ka nisur menjëherë procedurat për trajtimin e kësaj çështjeje dhe po bashkëpunon ngushtë me organet kompetente për një zgjidhje të drejtë dhe transparente.
Në përputhje me rregulloret, Komesari i Garave ka vendosur që gjashtë lojtarët e përfshirë në incident:
• Arlind Kabashi,
• Leotrim Mujaj,
• Agron Nikqi,
• Dardan Husaj,
• Kaltrim Berisha, dhe
• Gazmend Husaj,
të suspendohen nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FVK, përfshirë ato ndërkombëtare në bashkëpunim me federatat partnere. Ky pezullim mbetet në fuqi deri në vendimin e Komisionit Disiplinor.
Komisioni Disiplinor pret deponimin e deklaratave nga të gjithë lojtarët e përfshirë, si pjesë e procesit hetimor që do të çojë në nxjerrjen e vendimit përfundimtar.
FVK riafirmon përkushtimin e saj për të ruajtur integritetin e sportit dhe dënon ashpër çdo sjellje që cenon vlerat e lojës dhe të komunitetit sportiv. Për çdo zhvillim të mëtejshëm, opinioni publik do të njoftohet në kohën e duhur", njofton Federata e Volejbollit e Kosovës.