Volejbollistja kuqezi, tjetër shkëlqim në Itali

Volejboll

Volejbollistja kuqezi, tjetër shkëlqim në Itali

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 14:06
Erblira Bici

U duk sikur nuk ishte lodhur, por kishte pushuar. Erblira Bici e vazhdoi aty ku e la në fundjavë duke bërë një paraqitje edhe më të shkëlqyer në elitën e volejbollit italian të femrave.

Kapitenia e kombëtares shqiptare ishte më e mira në parket dhe thjesht e pandalshme në duelin e ashpër të Serisë A në fushën e Novarës.

Në fund skuadra e saj, Valefolia, u detyrua të pranonte humbjen e dytë radhazi, por vetëm 2-3 dhe pas më shumë se dy orësh lojë.

Bici realizoi plot 28 pikë, nga të cilat 21 në sulm, 4 në bllok dhe 3 nga shërbimi.

Në një ndeshje tepër të lodhshme, ajo bëri 11 gabime, por kjo quhet normale në nivele të tilla.

Për të kuptuar diferencën me të tjerat, mjaft të themi se Sajmon Li shënoi 16 pikë për Valefolian, ndërsa Lina Alsmajer 19 pikë për Novarën, duke qenë më të mirat pas shqiptares nga Gramshi.

Në prani të 2 400 tifozëve, Novara fitoi me rezultatin e seteve 25-23, 20-25, 16-25, 25-17 e 15-13.

Valefolia është në vendin e 8-të në Serinë A me 10 fitore e 15 humbje, por është e dyta në Serinë A për pikët e shënuara

Vetë Bici vazhdon të jetë një nga 4 shënueset më të mira të kampionatit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat