“Kësaj here, vetëm unë dhe gruaja ime nuk do të jemi në skenë. 30 vite veprimtari janë mjaft për tu thënë, sepse në këto 30 vite kanë kaluar gjenerata të tëra. Mund ta veçoj një të vërtetë të madhe dhe një kënaqësi shpirtërore se kur një fëmi, që kishte vallëzuar apo kënduar këtu në 'Dardan'i para 30 viteve, tani më është bërë prind dhe po i sjell fëmijët e vet në 'Dardani', kjo më bindë se 'Dardania' do të jetojë gjatë”, na tha ndër të tjera z.Cakolli.
Përshëndetje z. Cakolli! Ju falenderoj për kohën që rezervuat për këtë bashkëbisedim! Duke e ditur se jeni shumë i ngarkuar me programin që do ta shfqani më 30.11.2024 për Ditën e Flamurit, por edhe për 30 vjetorin e SHKA „Dardania“, si po e përballoni stresin?
Përshëndetje i nderuari z. Hebibi, penda e mërgatës, nëse mund të them ashtu. Kënaqësi të bashkëbisedoj me një gazetar e publicist që ka një profil të rangut të lartë në gazetari dhe shkrime për mërgatën. Kur i ke miqtë e sinqertë dhe të japin kurajo, stresi zhduket vetvetiu e miqtë ta lehtësojnë edhe angazhimin. Mjafton një fjalë të mirë të ta thonë, apo edhe ndonjë këshillë, aq më shumë largohet stresi.
Si duket, stresi do të humbë përballë vullnetit dhe punës suaj të sinqertë?
Po, vërtetë përvjetoret e tilla të japin stres, deshëm apo nuk deshëm ne, ato janë pjesë e jetës, por si që thatë edhe ju, vullneti dhe përkushtimi i mundë të gjitha. Natyrisht se puna e përbashkët e bën atë edhe më të lehtë dhe më të begatë, kur e di se vlerësohesh nga ata që dinë të të vlerësojnë!
Kësaj here, sipas asaj që jemi të informuar, do të ketë ftesa për mysafirët. Sa mysafirë do të jenë të pranishëm?
Po, kemi vendosur që kësaj here të festojmë 30 vjetorin me ftesa, edhepse na vjen keq prej publikut të gjerë, sepse ne, gjithmonë, kemi qenë me derë të hapur dhe pa asnjë çmim i kemi shërbyer popullit. Kësaj here, kemi dashur që ti kemi të ftuarit e caktuar dhe ata që vërtetë e kuptojnë dhe vlerësojnë, merren dhe e kultivojnë artin e kulturën tonë kombëtare.
Do të keni miq edhe nga Shqipëria, Kosova dhe trevat tjera shqiptare?
Po, thujase do të kemi nga të gjitha trojet tona në këtë festë, edhepse në mesin e anëtarëve, po ashtu, jemi nga të gjitha viset tona, si Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e Kosovë Lindore!
Programi, sa do të zgjasë?
Duke u bazuar në volumin e valleve, këngëve, dramatizimeve, instrumentaleve burimore që rrallë gjenden në mërgatë, e kemi zgjatur pak, sepse thuajse të gjitha pikat dhe veshjet janë premiera për ne dhe publikun, andaj që tani kërkojmë falje dhe durim nga të ftuarit se na duhet ti kënaqim fëmijët, të rinjtë e të moshuarit me paraqitjen e tyre, që në total mund të zgjasë rreth dy orë e gjysëm.
Keni premierë artistike. Për çka bëhet fjalë?
Kemi premiera dhe pjesë teatrale në kombinim me historin tonë, por që nuk do ta themi kësaj here. Si që ju thamë, të gjitha pikat tona janë premiera. Mendoj se kësaj here do të lëmë befasi për publikun e zgjedhur, pse jo edhe për ju, që do të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj.
Sa anëtarë të SHKA “Dardania” do të jenë në skenë në mbrëmjen festive të 30 nëntorit?
Sipas këshillit artistik dhe sipas të dhënave tona që kemi, në të gjitha pjesët e programit janë të angazhuar rreth 70 veta në skenë, të cilët do të paraqiten në pika të ndryshme, përjashtuar këtu stafin organizativ dhe shërbëyesit.
“Tani për tani mbi 95% të anëtarëve tanë janë me shtetësi zvicerane”
30 vjet SHKA “Dardania”. Punë e sakrificë e madhe. Pa e tepruar e duke lënë emocionet me një anë, keni bërë shumë mund. Konsideroheni si emblemë e artit në Zvicër dhe jo vetëm, falë punës. Do të keni edhe miq zviceranë si mysafirë?
Po, 30 vite veprimtari janë mjaft për tu thënë, sepse në këto 30 vite kanë kaluar gjenerata të tëra. Mund ta veçoj një të vërtetë të madhe dhe një kënaqësi shpirtërore se kur një fëmi, që kishte vallëzuar apo kënduar këtu në 'Dardan'i para 30 viteve, tani më është bërë prind dhe po i sjell fëmijët e vet në 'Dardani', kjo më bindë se 'Dardania' do të jetojë gjatë. Po, fjala e shumë njerëzve të kulturës, vërtetë e vlerësojnë punën tonë, nuk po them timen, sepse dua të jem modest, se pa miq e pa mbështetje, e pse jo edhe nga mbështetja e familjes, nuk do të arrihej e gjithë kjo veprimtari dhe krijimtari, mund të them, sidomos në mërgatë.
Sa i përket vendësve – zviceranëve, edhe pse tani për tani mbi 95% të anëtarëve tanë janë me shtetësi zvicerane, natyrisht se ne gjithmonë kemi pasur bashkëpunim me ta, për këtë festë, po ashtu e kemi ftuar edhe zv. Presidentin e Parlamentit të Winterthurit dhe kryetarin e departamentit të kulturës në qytet, mandej disa organizata joqeveritare dhe mediume zvicerane, si që na kanë konfirmuar edhe Tele Top Zviceran një TV regjionale të Ostschweiz.
A mund ti numëroni se sa ditë keni punuar për mbrëmjen e 30 nëntorit?
Po, ideja dhe planifikimi i disa termineve, si salla dhe forma e organizimit, ka filluar qysh vitin e kaluar, që do të thotë se përgatitjet kanë filluar herët, por ju e dini se sa vështirë realizohen në praktikë, andaj nëse i llogarisim vetëm këta dy muajt e fundit, që janë tejet të ngjeshur me detyra dhe përegatitje, duke mos i anashkaluar aktivitetet tjera, si festivalet, koncertet, dasmat, që na bjenë të marrim pjesë si shpesh, me të vetmin qëllim që të kemi sado pak buxhet vetanak për të gjitha këto investime, me ç'rast i falenderoj të gjithë valltarët dhe orkestrën që kanë kontribuar në realizimin e të hyrave financiare, vetëm që të jemi sa më të përgatitur.
Do ti thoni vetes, 30 vjet jetë artistike vetëm si pjesë e diasporës. Ka ardhur koha që të rri në publik e të duartrokas, apo kurrë nuk mundeni të largoheni, sepse e dini që shpirti juaj është ngusht i lidhur me këtë shoqëri?
Pyetje shumë e vështirë që nuk arrij dot ti përgjigjem, por një e di se unë kam edhe ambicie tjera, përpos kësaj, andaj do ti lus që të më lirojnë, sepse shumica e dijnë se merrem edhe me shkrime, andaj në mirëkuptim, shpresoj se do të më falin, edhepse shumë vështirë do ta kenë.
Përveç afaristëve, keni mbështetje nga institucionet tona?
Afaristët, sivjet ishin shumë dorëshlirë për ne dhe na ndihmuan jashtëzakonisht, përndryshe nuk do të ia dilnim me buxhetin tonë. Ju e dini se kemi kritere të larta dhe investojmë shumë në veshje dhe dekorime të sallave, mandej edhe në koreografi e vegla instrumentale, dhe po të mos ishte mbështetja e këtyre afaristëve dhe donatorëve, do të ishim kushtëzuar të reduktonim shumë gjëra, por falë tyre, ne po ia arrijmë si më së miri. U jemi tejet mirënjohës përgjithmonë.
Sivjet apo më mirë të them, qe katër vite, institucionet tona nuk na nduhmojnë më, nuk e di arsyen, edhe pse participuam këtë vit me projektin e 30 vjetorit, por nuk e panë të arsyeshme të na japin as mbëshjetje morale, aq më pak financiare, por gjithsesi, ne i kemi ftuar në shënimin e 30 vjetorit tonë.
“Shtetet tona neve na konsiderojnë ose si votë ose si thesar, që dërgojmë remitanca”
Ka ardhur koha që të flitet se çka kanë bërë ose fare shtetet tona për mërgatën tonë?
Po, mund të them se shumë pak po bëjnë. Mendimi im është se shtetet tona neve na konsiderojnë ose si votë ose si thesar, që dërgojmë remitanca. Nuk janë në gjendje të investojnë në shkolla, në shoqëri kulturore, në identitetin kombëtar, si që bëjnë shumë shtete, të cilat, vet i kam vizituar, e njëra nga ato ishte edhe Kroacia, që ua paguante lokalin ku ushtronin, veshjet kombëtare, plus koreografin, kurse te ne na dërgojnë artistë nga atje të na recitojnë vjersha të Fishtës apo të emetojnë disa filma të lodhur që s'kanë kurefarë vlere kombëtare e as artistike.
Kësaj here, do të keni ndonjë familjar në skenë, kur dihet se me familje keni qenë me vite i angazhuar?
Kësaj here, vetëm unë dhe gruaja ime nuk do të jemi në skenë, sepse të tjerët thuajase të gjithë. Tani më jemi bërë edhe me nip e mbesë, që edhe ata do të jenë në skenë, bashkë me nënën e tyre, që në fakt edhe do ta moderojë programin atë mbrëmje. Kurse vajza tjetër do të jetë prapa skene dhe në skenë si koreografe. Djali që do jetë në valle, shpesh edhe në rolin e solistit, për të përfunduar edhe te dhëndurët që janë në stafin oganizativ. Natyrisht se shtyllë tjetër kam edhe mbesën time, vajzën e vëllait, e cila është asistente te grupi i fëmijëve dhe është gjithëmonë në shërbim të 'Dardanisë'.
Për fund të kësaj interviste, ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë fizike, sepse artistike do të keni përjetësisht!
Ju faleminderit dhe pata shumë kënaqësi të bashkëbisedoj me ju, për atë edhe u zgjata, sepse ju jeni një punëtor i palodhur dhe ndihem komod me ju gjatë intervistave. Shumë nga mërgata jonë, por jo vetëm kaq, duhet të ju kenë lakmi për veprat dhe punën që po bëni për shumë gjenerata, e tani së fundi edhe me portalin e ri që keni filluar. Më lejoni të ju urojmë suksese dhe jetë të gjatë të këtij portali që në fakt nuk është edhe lehtë të mbahet.
Urime!
Urime paçit dhe urime edhe juve festat e nëntorit!