Një video e filmuar në Gjilan të Kosovës po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe ka shkaktuar zemërim të madh si në Kosovë, ashtu edhe në Zvicër. Në pamje shihet një veturë e tipit Audi e zezë, me targa zvicerane, duke kryer një manovër të rrezikshme, duke u ngjitur në trotuarin në të djathtë të rrugës për të kaluar kolonën e makinave që prisnin në trafik. Pas pak metrash, vetura kthehet sërish në rrugë, duke mos fituar më shumë se disa sekonda kohë.
Ngjarja është regjistruar nga Luan K., një qytetar që ndodhej në veturën pas Audisë. “Shoferi ishte duke ngasur në mënyrë të çuditshme. Përshpejtonte shumë, pastaj frenonte papritur. Më pas e pa që kishte kolonë dhe vendosi të ngjitet në trotuar. Nuk donte të priste si të tjerët,” tregon ai për gazetën zvicerane Blick. Edhe pse manovra dukej e nxituar, ajo nuk rezultoi efektive – Audia përfundoi vetëm dy makina më përpara.
Sipas Luan K., rasti është denoncuar në polici dhe videoja u është dorëzuar autoriteteve.
Makina e regjistruar në Zvicër – reagime të ashpra në rrjet
Sipas të dhënave të para, vetura është e regjistruar në kantonin Thurgau të Zvicrës. Ky fakt ka shtuar indinjatën në rrjetet sociale, ku shumë komentues e quajnë këtë një fyerje për Zvicrën dhe qytetarët zviceranë. “Ky shofer kurrë nuk do të guxonte të bënte një gjë të tillë në Zvicër,” shkruan një përdorues në Facebook.
Të tjerë sugjerojnë se mund të ketë qenë ndonjë i ri, ndoshta djali apo i afërmi i pronarit të veturës, që e ka marrë veturën për një xhiro në Kosovë. Komentuesit kërkojnë që videoja t’i dërgohet autoriteve zvicerane, që shoferi të përballet me pasoja ligjore edhe në Zvicër.
Shoferi – ende i pakapshëm për mediat
Gazeta Blick ka tentuar të kontaktojë me personin në emër të të cilit është regjistruar vetura në Zvicër, por ai nuk ka qenë i qasshëm për koment. Ndërkohë, presioni publik po rritet dhe autoritetet pritet të hetojnë më tej rrethanat e incidentit.