Andin Hoti në Zvicër: Mërgata dhe Lugina e Preshevës në fokus të takimit

Zvicër

Andin Hoti në Zvicër: Mërgata dhe Lugina e Preshevës në fokus të takimit

Nga: Dahest Luma Më: 20 janar 2026 Në ora: 15:05
Andin Hoti

Në një takim institucional në Cyrih, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, njëherit deputet i zgjedhur, bashkë me përfaqësues të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, diskutuan për mërgatën, Luginën e Preshevës dhe nevojën për mbështetje shtetërore ndaj institucioneve shkencore shqiptare në diasporë

Cyrih, Zvicër – Në Cyrih u zhvillua një takim me rëndësi të veçantë shkencore, institucionale dhe kombëtare ndërmjet Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur të Kosovës dhe deputetit të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Andin Hoti, dhe përfaqësuesve të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me seli në Cyrih.

Në këtë takim morën pjesë Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik, doktor i shkencave politike Dashnim Hebibi, si dhe editori i shtëpisë botuese “Libri Im”, z. Berat Thaçi. I pranishëm në takim ishte edhe Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, së bashku me bashkëpunëtorë të z. Hoti nga Kosova.

Image
Pamje nga takimi

Takimi, i cili zgjati rreth një orë, u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe miqësore, duke reflektuar vullnetin për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet institucioneve shtetërore të Kosovës dhe strukturave shkencore e kulturore të mërgatës shqiptare në Zvicër.

Mërgata, Lugina e Preshevës dhe shtetësia e Kosovës

Sipas burimeve tona, gjatë takimit u diskutua për rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare, situatën aktuale në Luginën e Preshevës, si dhe për nevojën e lehtësimit të procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për shqiptarët e tri komunave të kësaj treve.

Z. Hoti shprehu respekt dhe përkushtim të veçantë ndaj Luginës së Preshevës, duke theksuar se angazhimi i tij si Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe si përfaqësues politik do të vazhdojë pa u ndalur, me synimin që edhe ajo trevë të gëzojë liri të plotë dhe të drejta të barabarta.

Image
Pamje nga takimi

Pritje për përkrahje institucionale

Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik, dr. Dashnim Hebibi, njëherësh edhe Kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, e njoftoi z. Hoti për aktivitetet shkencore, kulturore dhe humanitare që zhvillon institucioni dhe shoqata, me theks të veçantë në mbështetjen e familjeve të dëshmorëve. Me këtë rast, u shpreh pritja që institucionet e reja që do të formohen në Kosovë të ofrojnë përkrahje konkrete për institucionet shkencore shqiptare në diasporë, të cilat përfaqësojnë një urë të rëndësishme bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ruajtjeje të identitetit kombëtar. Takimi u vlerësua si i suksesshëm dhe u përmbyll me bindjen se Andin Hoti do të vazhdojë rrugëtimin e tij institucional dhe politik me përgjegjësi dhe suksese edhe më të mëdha në të ardhmen e afërt.

Gjatë takimit, z. Hebibi i dhuroi z. Hoti edhe dy librat e tij më të rinj, të promovuar më 17 janar në Langenthal të Zvicrës, në një ngjarje ku morën pjesë personalitete të shumta nga jeta akademike, kulturore dhe publike. Me këtë rast, z. Hoti e përgëzoi z. Hebibi dhe bashkautorin e tij Florim Useini për këtë punë të rëndësishme, duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në shërbim të mërgatës shqiptare dhe, në përgjithësi, të çështjes kombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat