Numri i të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) në kontinentin e Afrikës ka shkuar në mbi 2 milionë e 390 mijë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjithsej 2.393.061 persona deri më tani kanë rezultuar pozitiv me virusin në mbarë kontinentin, pasi në 24 orët e fundit janë infektuar edhe 16.320 persona, sipas faqes së internetit "Worldometer", e cila përpilon të dhënat mbi pandeminë.
Ndërkaq, numri i të vdekurve si pasojë e pandemisë ka arritur në 55.346, me një rritje prej 428 viktimash në 24 orët e fundit.
Shifra më e lartë e viktimave është regjistruar në Afrikën e Jugut me 23.106 të vdekur, pasuar nga Egjipti me 6.920 dhe Maroku me 6.624.
Në Sejshelle dhe Eritre nuk është raportuar asnjë vdekje.
Për sa i përket numrit të të infektuarve, ai ka arritur në 860.964 në Afrikën e Jugut, ndërsa pas saj radhiten Maroku me 399.609 raste dhe Egjipti me 121.575.
Deri më tani, 2.023.832 persona të infektuar janë shëruar.