Vigjilentët që mbrojnë fermat e avokados nga bandat kriminale

Afrika

Vigjilentët që mbrojnë fermat e avokados nga bandat kriminale

Më: 16 janar 2022 Në ora: 11:15
Pronari i fermës

Sektori i avokados në Kenia është bërë aq fitimprurës sa bandat e organizuara kriminale kanë filluar të synojnë kultivuesit. Kjo për shkak se fruti nga vetëm një pemë mund të paguajë për arsimin privat të një nxënësi të shkollës së mesme për një vit të tërë, deri në 600 dollarë.

Me rritjen e kërkesës për frutat në SHBA dhe Evropë, Kenia kaloi Afrikën e Jugut vitin e kaluar për t’u bërë eksportuesi kryesor i avokados në kontinent.

Tani po krijohen grupe vigjilente për të mbrojtur të korrat, të njohura si “ari i gjelbër”. Ndërsa bie nata në një fermë mjaft të madhe në qarkun qendror të Murang’a-s, gjashtë të rinj të veshur me mushama të trasha dhe të armatosur me pishtarë, hanxhar dhe shkopinj fillojnë turnin e tyre.

Ata janë punësuar për të ruajtur fermën dhe avokadot e saj, shkruan BBC.

“Ishim ose ne ose ata për fat të keq dhe duhej të mbronim veten,” më thotë njëri prej tyre, duke iu referuar një incidenti të fundit ku u vra një hajdut i dyshuar i avokados.

Pronari i fermës, e cila është rreth gjysmë hektari, ose sa gjysma e një fushe futbolli, thotë se i është dashur të ndërmarrë veprime pasi ka rënë viktimë e hajdutëve.

“Mund të rrethosh të gjithë fermën, por kjo nuk do t’i ndalojë. Ti kalon një sezon të tërë duke u kujdesur për të korrat tua, pastaj në një natë të vetme të gjitha frutat vidhen brenda disa orësh.” thotë ai, duke treguar se ku është prerë gardhi me tela me gjemba.

Ora e tyre do të përfundojë në agim. Avokadot priren të korrren në Kenia midis shkurtit dhe tetorit, por hajdutët kanë synuar frutin e papjekur.

Në përpjekje për të shtypur tregun e zi, autoritetet kanë vendosur një ndalim të eksportit të avokados nga nëntori deri në fund të janarit.

Por kjo ka pak efekt në terren, në fakt fermerët si ata në qarkun Murang’a duhet të korrin herët në mënyrë që të shpëtojnë të korrat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat